Termi “punë dhe kujdes i papaguar” në këtë studim i referohet detyrave që kryhen në shtëpi kryesisht nga gruaja, si punët e shtëpisë, gatimi, kujdesi për fëmijët, për të moshuarit dhe të sëmurët, punë për të cilat personi që i kryen nuk paguhet.[1] Termi përfshin si punën e kryer për familjen ashtu edhe atë që shpesh quhet “punë vullnetare”, ku persona të ndryshëm ndihmojnë të tjerë familjarë apo më gjerë nga komuniteti. [2] Shumë terma të tjerë janë përdorur për atë që ne quajmë “punë dhe kujdes i papaguar”, të cilat, siç vëren ekonomistja feministe Diane Elson, shpesh çojnë në konfuzion. Për shembull:

  • “Puna shtëpiake” : i referohet asaj që ne quajmë punë dhe kujdes i papaguar apo punës që kryejnë punëtorët shtëpiakë që paguhen për të?
  •  “Puna e papaguar ”: i referohet asaj që ne quajmë punë dhe kujdes i papaguar apo punës që një grua bën pa pagesë për biznesin familjar ose /dhe në bujqësi ?
  •  “Puna riprodhuese”: i referohet asaj që ne quajmë punë dhe kujdes i papaguar apo lindjes së foshnjës dhe ushqyerjes me gji të saj?
  • “Puna në shtëpi”: i referohet asaj që ne quajmë punë dhe kujdes i papaguar apo i referohet punës me pagesë që kryhet në shtëpi (puna me copë, e tillë si qepje, endje qilimash, qëndisje etj. ose përgatitja e produkteve në shtëpi në bazë të një nënkontraktimi nga një punëdhënës)?

Elson thekson se termi “përkujdesje” nuk do të thotë se puna bëhet gjithnjë me përkushtim apo dashuri. Nëse puna bëhet me dëshirë apo jo, kjo varet nga marrëdhëniet ndërmjet atij që kujdeset dhe atij që e merr këtë kujdes dhe  ndoshta edhe nga ato me pjesëtarët e tjerë të familjes apo të shoqërisë. Ka raste kur gruaja përkujdeset pa dëshirën e saj, por detyrohet për shkak të  presionit psikologjik, social apo dhe fizik që i bëhet. [3]


[1]D. Buddlender, “Why should we care for unpaid care work?” botuar nga UNIFEM, Harare,  2004

[2] Po aty                 

[3] Po aty

 
Mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) në kuadër të programit nën-rajonal "Buxhetimi Gjinor në Europën Juglindore: Përparimi i barazisë gjinore dhe qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë" . Financuar nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze.

© ASC Qendra për Studime të Avancuara. Kontakt info@asc-al.org