Janë bërë shumë studime dhe analiza mbi çështje të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë shoqërinë shqiptare në vitet ’90 e këtej. Që prej fillimit të periudhës së pas 1990-s, gratë janë përballur me një varg vështirësish. Disa prej tyre u gjendën jashtë tregut të punës, disa të tjera u kthyen në kryefamiljare me burrat dhe djemtë të emigruar jashtë vendit, disa e gjetën veten jo të lirë si më parë për shkak të riaktivizimit të traditave të vjetra etj. Vitet e tranzicionit shënuan ndryshimin gradual të roleve tradicionale të grave dhe burrave në Shqipëri.

Gjatë regjimit komunist, gratë përfituan nga politikat promovuese për to, sidomos lidhur me arsimimin dhe punësimin në shkallë të gjerë të tyre. Gjithashtu, nxitej dhe mbështetej pjesëmarrja e grave në jetën sociale dhe politike. Për shumë njerëz, përfaqësimi politik i grave është konsideruar si simbolik, por megjithatë në atë periudhë të historisë, gratë kanë qenë më shumë aktive në vendimmarrje. Por kjo pjesëmarrje u shoqërua me një ngarkesë të rëndë për gratë, të cilat duhet të ishin të angazhuara edhe në punën e paguar, duhet të ishin aktive në jetën sociale apo politike, si dhe u duhej të ishin të angazhuara edhe me punët shtëpiake dhe kujdesin për familjen. Në kuadrin e ideologjisë së regjimit komunist, shteti kishte përgjegjësinë e sigurimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme për njerëzit, si kujdesi për fëmijët e vegjël në çerdhe dhe kopshte, dhënia falas e kujdesit shëndetësor, kujdesi për të moshuarit, etj. Megjithatë, grave u duhej të përballonin një ngarkesë të shumëfishtë për shkak të ndarjes tradicionale të roleve gjinore.

Pas vitit 1990 situata e shoqërisë shqiptare ndryshoi në mënyrë dramatike,  duke kaluar nga një ekonomi e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, nga një shtet ombrellë për gjithçka në një shtet kaotik që iu desh të përballej me  varfërinë ekstreme, me shkatërrimin e të gjitha industrive ekzistuese, me një shkallë të lartë migracioni, me një infrastrukturë krejt të papërshtatshme etj.

Studime dhe kërkime të ndryshme të këtyre viteve kanë theksuar përkeqësimin e statusit ekonomik, politik dhe social të grave. Në Shqipëri sot gratë dhe vajzat kanë shumë probleme lidhur me : aksesin në sistemin arsimor, veçanërisht atë të mesëm,[1] futjen dhe qëndrimin në tregun e punës, dhunën fizike dhe psikologjike, e cila ruan dhe shumëfishon pabarazinë, aksesin dhe përfitimin nga sistemi i kujdesit shëndetësor[2], ekzistencën e një sistemi  shumë të dobët të mbrojtjes sociale që i adresohet vetëm njerëzve e grupeve në nevojë, etj.  Pjesëmarrja e femrave në tregun e punës, siç tregon shkalla e papunësisë, është e ulët në krahasim me meshkujt. Gjithashtu duket se pjesëmarrja e grave në politikë dhe në vendimmarrje nuk ka bërë hapa përpara që prej 1990-s. Aktualisht në Kuvend ka vetëm 7.6% gra, ka vetëm një grua të zgjedhur kryetare bashkie dhe 17% e menaxherëve janë gra.[3]

Ndërsa gjatë këtyre viteve kanë ndryshuar rolet e grave, është e nevojshme  mbështetja e shtetit nëpërmjet politikave, mbrojtjes sociale dhe krijimit të mundësive që të pasqyrojnë këto ndryshime. Prej disa viteve, qeveria shqiptare është angazhuar në adresimin e çështjeve të barazisë gjinore dhe promovimit të grave. Në 2004, u miratua i pari ligj për barazinë gjinore, ndërsa në fillim të 2008, Këshilli i Ministrave pasi e kish rishikuar ligjin dhe kryer një varg ndryshimesh të rëndësishme në të, e ka paraqitur në kuvend për miratim[4]. Në 2006, Qeveria e Shqipërisë miratoi ligjin e parë në vend kundër Dhunës në Familje.[5] Në vazhdim të tyre, Qeveria e Shqipërisë miratoi Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje (SKBGJ-DHF 2007-2010), e para e këtij lloji në vend. Nga qeveria e Shqipërisë janë marrë një sërë angazhimesh ndërkombëtare për barazinë gjinore – si për shembull ratifikimi i Konventës për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas (CEDAW) në vitin 1993; angazhimet për barazinë gjinore me pranimin e Platformës për Veprim të Pekinit në 1995; nënshkrimi i Deklaratës së OKB-së për objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit në vitin 2000 si dhe nënshkrimi në 2006 i  Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit me Bashkimin Evropian.

Edhe pse janë bërë studime dhe kërkime lidhur me situatën e grave në tregun e punës, sistemin arsimor, pjesëmarrjen politike dhe migrimin, ka shumë pak të dhëna mbi kujdesin dhe punën e papaguar të grave. Disa kërkime të fundit mbi pabarazitë gjinore në tregun e punës zbulojnë se edhe pse shkalla e papunësisë së grave është e lartë, ekziston edhe një çështje e fshehur, ajo e pjesëmarrjes së grave në tregun informal të punës si dhe puna e padukshme që gratë bëjnë për t’u kujdesur për anëtarët e tjerë të familjes dhe mirëmbajtur shtëpinë.

Por këto studime nuk kanë shkuar më tej në analizën e kësaj çështjeje. Për këtë arsye, ne e konsideruam shumë të rëndësishme të kërkonim shkaqet dhe pasojat e punës dhe kujdesit të papaguar, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë në ndikimin e kësaj pune mbi veprimtarinë ekonomike të grave dhe në  politikat që shteti duhet të adresojë për këtë çështje.

‘Puna dhe kujdesi i papaguar” i referohet detyrave që kryhen në shtëpi, si punët e shtëpisë, gatimi, kujdesi për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët, ku personi që i kryen këto punë nuk paguhet.

Hipoteza që shtruam në pikënisjen e kësaj analize ishte se gratë kryejnë një pjesë të madhe të punës së papaguar në familje, gjë që ka implikime negative në mundësitë e tyre për t’u angazhuar në jetën ekonomike dhe publike.

Pyetjet tona kryesore për kryerjen e këtij studimi mbi punën e papaguar të grave ishin këto:

  • Cila është përmasa e punës dhe kujdesit të papaguar e kryer nga gratë dhe burrat? Cila është lidhja midis kujdesit e punës së papaguar dhe aktivitetit të tyre ekonomik? A është e vërtetë hipoteza jonë, ose me fjalë të tjera, fakti që gratë duhet të kujdesen për fëmijët, për të moshuarit, për shëndetin e pjestarëve të familjes, të kujdesen për shtëpinë dhe gjithë shërbimet e tjera lidhur me të etj., a i pengon ato për të qenë aktive në tregun e punës dhe në jetën sociale? A po tërhiqen gratë nga tregu i punës ose nuk hyjnë në të, në mënyrë që të kenë më shumë kohë për t’u kujdesur për pjestarët e familjes dhe punët e shtëpisë? A ndikon gjendja aktuale e shërbimeve sociale shtetërore që mund të mbështesin punën e papaguar të grave (p.sh. çerdhet e kopshtet ditore, shërbimet shëndetësore, mbrojtja sociale) në vendimin e tyre për të hyrë ose jo në tregun formal të punës? Cila është situata në lidhje me përfshirjen e grave në tregun informal të punës?

  • Cila është mbështetja shtetërore në lidhje me kujdesin dhe punën e papaguar të grave, cilat janë shërbimet sociale që shteti u ofron grave me qëllim lehtësimin e barrës së punëve dhe përgjegjësive të tyre në familje? Si dhe çfarë shërbimesh ofrohen për fëmijët, të moshuarit dhe pjestarët e sëmurë të familjes? A kanë gratë aksesin e duhur në shërbimet e kujdesit shëndetësor? Cili është niveli i mbrojtjes sociale në Shqipëri dhe si mbulohen gratë nga ky sistem, etj.? Çfarë mund të bëhet për një mbështetje më të mirë të grave në lidhje me kujdesin dhe punën e tyre të papaguar?

  • Si i kuptojnë gratë dhe burrat të drejtat e tyre lidhur me mbështetjen e shtetit për punën dhe kujdesin e papaguar në shtëpi? A e kuptojnë ata se në çfarë shkalle ndikojnë rolet përkatëse të tyre në familje – të burrave dhe grave- në veprimtarinë ekonomike dhe publike të secilit?

Është shumë e rëndësishme të zbulojmë se si e perceptojnë gratë dhe burrat situatën e tyre, si e konsiderojnë gratë faktin se ato kujdesen vetëm për familjen, ndërkohë që bashkëshortët e tyre e konsiderojnë veten kryesisht  përgjegjës “për të sjellë bukën në shtëpi”. Kjo është një çështje e vënë në dukje nga studime e raporte të tjera. Shumica e grave pjesëmarrëse në këtë studim janë të papuna ose të tërhequra nga tregu i punës, pra të varura ekonomikisht nga bashkëshortët e tyre. Siç do shihet, kjo ndikon shumë në të drejtat e tyre.


[1] Arsimi i mesëm karakterizohet nga një shkallë më e lartë pjesëmarrjeje e djemve në krahasim me vajzat. Për vitin akademik 2004-2005 të dhënat tregojnë se norma e regjistrimit në shkollë e djemve ishte 53.03 % ndërkohë që e vajzave ishte  46.97%. (UNDP, Analiza gjinore e politikave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, 2005, TIranë )

[2] UNDP, Analiza gjinore e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, 2005; UNCT, Common Country Assessment 2004;

[3] MPÇSSHB, Strategjia kombëtare për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje, Dhjetor 2007, Tiranë

[4] Ligji nr. 9198, datë 1.07.2004 “Mbi barazinë gjinore në shoqëri”, i rishikuar në 2006.

[5] Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006 “Mbi masat kundër dhunës në familje”

 
Mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) në kuadër të programit nën-rajonal "Buxhetimi Gjinor në Europën Juglindore: Përparimi i barazisë gjinore dhe qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë" . Financuar nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze.

© ASC Qendra për Studime të Avancuara. Kontakt info@asc-al.org