Në këtë seksion jemi përpjekur të japim një përmbledhje të shkurtër mbi angazhimin ekonomik të grave bazuar në diskutimet e grupeve të fokusuara dhe në të dhënat e përfituara nga LSMS dhe burime të tjera statistikore. Lidhur me profilin e pjesëmarrësve në fokus grupe, nivelin e tyre të arsimit dhe angazhimin ekonomik, të dhënat janë këto :
Pjesa më e madhe e tyre kanë nivel arsimor të mesëm dhe kjo është e njëjtë si për burrat dhe për gratë. Megjithatë, është një përqindje e lartë e grave dhe e burrave të cilët kanë nivelin 8 vjeçar të arsimit. Përqindja e grave dhe e burrave me nivel arsimor të mesëm profesional është shumë e ulët, dhe kjo ilustron situatën e përgjithshme të një rënieje dramatike që pësoi numri i shkollave të mesme profesionale në vitet ‘90.
Tabela 2: Niveli i punësimit të pjesëmarrësve (ne përqindje), sipas seksit.
|
Meshkuj
|
Femra
|
Total
|
Të papunë[1]
|
63
|
76
|
68
|
Të punësuar
|
32,3
|
22,7
|
27
|
Të larguar
|
4
|
2,4
|
3
|
Totali
|
100
|
100
|
100
|
Ashtu siç dhe mund të vërehet nga tabela, shumica e grave pjesëmarrëse në FG nuk bëjnë punë të pagueshme. Kjo është arsyeja pse puna e papaguar e grave do të analizohet për të dy kategoritë si për gratë e angazhuara në punë të pagueshme ashtu dhe për ato të cilat janë të papuna apo ekonomikisht joaktive. Shumica e grave të reja pjesëmarrëse asnjëherë nuk kanë qenë të përfshira në një punë të pagueshme.
Pas vitit 1990, kemi një kthim mbrapa në të kaluarën e afërt shqiptare, tabloja tipike e së cilës ishte që gratë rrinin në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët, shtëpinë dhe burrin. Bashkë me to kemi dhe rigjallërimin e mentalitetit se vendi i gruas është në shtëpi[2] Tërheqja e grave nga tregu i punës u shoqërua edhe me rënien e numrit të vajzave e djemve të regjistruar në shkolla, me diferenca në % mes tyre.[3] Është e rëndësishme të theksojmë se rënia e regjistrimeve për vajzat ndihet më shumë pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare dhe më shumë kjo e shprehur në zonat rurale. Në zonat rurale vajzat martohen më shpejt dhe ky është një faktor që shpjegon edhe mos regjistrimin e tyre në nivelin arsimor pasardhës. Sa më i lartë niveli arsimor aq më shumë shtyhet mosha e martesës. Një tjetër dukuri e kësaj situate të pas vitit ’90 është ajo e rënies së moshës për martesë e grave dhe rritja e diferencës së moshës ndërmjet burrit dhe gruas[4].
Përgjatë diskutimeve në FG disa nga gratë pjesëmarrëse theksuan faktin se veçanërisht në zonat rurale (por dhe në ato urbane në një shkallë më të ulët) vajzat e reja nuk e vazhdojnë më shkollën pas përfundimit të arsimit 8 vjeçar dhe prirja është të martohen fare të reja me burra të rinj emigrantë, të cilët do t’u sigurojnë të ardhurat për familjen.
Një ndër sektorët kryesore të punësimit formal për gratë dhe burrat është sektori publik. Në të vërtetë, është e rëndësishme të nënvizohet se shumë nga pjesëmarrësit në diskutimet në fokus grupe burra dhe gra, ekspertë dhe autoritete, - e interpretojnë termin “ i punësuar” në kuptimin e “ të punësuarit në sektorin publik”. Gratë janë të punësuara më shumë në sektorin publik dhe brenda sektorit publik kryesisht në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit( punë që përgjithësisht reflektojnë kujdesin që ato japin edhe në shtëpi, por pa pagë). Ato punojnë gjithashtu në sektorë të punëve sociale, por rrallë në nivele vendimmarrëse, dhe përgjithësisht në pozicione me pagë më të ulët se mesatarja, por që së paku kanë të siguruar mbrojtjen sociale dhe përfitimet prej saj.[5] Është e rëndësishme të pohohet se së fundmi qeveria premtoi rritjen e pagave në këta sektorë, kryesisht për mësuesit dhe infermierët, me qëllim që të përmirësohet cilësia e shërbimit publik (shiko tabelën 4 dhe 5 në Shtojcën 3).
Një detaj tjetër i rëndësishëm është se shumë prej grave të punësuara në sektorin publik në fushat e përmendura më lart, kanë nevojë për një arsimim të caktuar. Siç vihet në dukje në vlerësimin e tregut të punës, kapitali njerëzor nuk duket të jetë një faktor i rëndësishëm në shpjegimin e treguesve relativisht të ulët të tregut të punës për gratë. Veçanërisht në zonat rurale vihet re një rritje e numrit të vajzave të reja, të cilat kanë braktisur shkollën apo nuk vazhdojnë më shkollat e mesme. Si të tilla, ato nuk janë të afta të konkurrojnë në tregun formal të punës veçanërisht në sektorin publik. Në këtë mënyrë mundësitë e tyre për punësim gjenden kryesisht brenda sektorit bujqësor dhe në tregun mjaft të përhapur informal të punës.
Në raste të tjera, si në Paskuqan, arsyeja e të qenit larg tregut të punës është kryesisht e lidhur me konceptin se “gratë nuk kanë pse të punojnë”.[6] Është detyrë e burrit të sjellë të ardhura në shtëpi dhe të punojë, gratë nuk duhet të punojnë. Në Paskuqan kjo ishte e shprehur hapur, por në raste të tjera ky mentalitet fshihet ose në mënyrë të pandërgjegjshme pranohet në shprehjen “më mirë rri në shtëpi sesa të punoj në një punë të paguar pak” duke harruar se të qëndruarit në shtëpi dhe te mos qenit ekonomikisht aktive i kthejnë këto gra në varësi të plotë nga burrat e tyre, i izolon ato nga pjesëmarrja sociale dhe qytetare si dhe influencon gjithashtu aksesin e tyre në sigurimin social dhe shëndetësor.
Punësimi informal është një tipar mbizotërues i tregut të punës në Shqipëri. Shumica e punëtorëve punësohen me marrëveshje informale jashtë rregullave e legjislacionit të punës dhe sigurimeve shoqërore. Pavarësisht se punësimi informal reflekton deri diku natyrën e ekonomisë shqiptare, ai është mjaft i përhapur edhe në sektorin urban jobujqësor. Gjatë viteve të para të tranzicionit punësimi informal ishte i rëndësishëm si për ekonominë ashtu edhe për mirëqenien e shumë familjeve. Megjithatë, ky është i lidhur në mënyrë të dukshme me të ardhurat e ulta, varfërinë dhe mospërkrahjen[7].
Rreth tre të katërtat e të punësuarve në total janë informalë, sipas përcaktimit të dhënë në këtë raport. Shumica e tyre janë të punësuar në bujqësi. Sipas të dhënave të LSMS-së, 76% e punësimit në 2004 ishte informal. Rreth 60% e punës informale është e përbërë nga punëtorë në bujqësi, të cilët janë ose të vetëpunësuar ose të papaguar. Pjesa që mbetet është pak a shumë e ndarë ndërmjet të vetëpunësuarve dhe punonjësve të papaguar jashtë bujqësisë dhe të punësuarve me pagë në mënyrë informale.[8]
Sipas të dhënave të LSMS-së të 2005[9], më shumë se 60% e grave që punonin në sektorin privat nuk gëzojnë asnjë mbrojtje sociale, pasi nuk paguajnë kontributet shoqërore. Kjo do të thotë se sektori privat ofron punë për gratë më shumë në tregun informal të punës sesa në atë formal (shih tabelën 6 dhe 7 në Shtojcën 3).
Gratë, të cilat e deklarojnë veten e tyre si të vetëpunësuara, drejtojnë një lloj biznesi[10] me të ardhura të ulëta dhe pothuajse të gjitha në sektorin informal. Gratë e vetëpunësuara në sektorin jobujqësor punojnë kryesisht (rreth 50%) në të ashtuquajtur sektor të tregtisë me pakicë, që nënkupton biznesin e vogël, afër shtëpisë apo në një pjesë të shtëpisë. Dy lloje aktivitetesh të tjera të cilat zgjidhen nga të vetëpunësuarat janë hotelet/ restorantet dhe prodhim veshjesh. (shih tabelën 3 në Shtojcën 3). Ky aktivitet i fundit është kryesisht i karakterizuar nga produkte artizanale, të bëra nga gratë në shtëpi ose në disa zona të veçanta të vendit, ku këto produkte tradicionale mund të tregtohen. Në rast se supozojmë se vetëpunësimi është i barabartë me një biznes ose me një mundësi për biznes, atëherë duket se në mjedisin e biznesit në Shqipëri, këto tre lloj aktivitetesh ofrojnë më shumë mundësi për gratë e vetëpunësuara. Është e rëndësishme të përmendet se këto lloj mundësish për vetëpunësim janë konveniente për to, sepse në shumicën e rasteve ato punojnë shumë afër shtëpisë duke balancuar kohën mes shtëpisë dhe vendit të punës.[11]
Të dhënat e LSMS-së sugjerojnë se gratë dhe vajzat nuk preferojnë punësimin informal me pagë kundrejt llojeve të tjera të punësimit dhe krahasuar me burrat. Një arsye është se gratë dhe vajzat fitojnë shumë pak nga puna informale me pagë. Në 2004, gratë dhe vajzat e punësuara me pagë në sektorin informal merrnin mesatarisht 44% më pak në orë, sesa gratë dhe vajzat e punësuara në sektorin formal. Në krahasim, diferenca për burrat ishte vetëm 19%.[12]
Shumica e grave pjesëmarrëse në fokus grupet kishin punuar dikur në sektorin privat. Të pyetuara për arsyen e largimit nga tregu i punës ato pohojnë se pagat janë tepër të ulëta, se punonin pa kontrata pune, dhe ishin të pambrojtura nga pushimi nga puna në çfarëdo momenti, nuk u paguheshin kontributet shoqërore, dhe kushtet e punës ishin të këqija (kryesisht raportuar në Shkodër dhe për sektorin e industrisë). Prandaj, nuk kishte arsye pse të punonin në kushte kaq të këqija dhe pa asnje garanci. Kjo ishte një çështje e rëndësishme ku kërkohej ndërhyrja e mbështetja e shtetit. Në lidhje me këtë si gratë dhe burrat theksuan nevojën e forcimit të sindikatave dhe kjo u theksua veçanërisht në diskutimet e fokus - grupeve në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Vetëm gratë e punësuara në sektorin publik ishin të mbrojtura nga kontratat e punës dhe të siguruara. Çështja e sektorit informal ishte një cështje e rëndësishme diskutimi për të gjithë të pjesëmarrësit. Kjo ishte si arsyeja e largimit nga tregu i punës ashtu dhe arsyeja e mos hyrjes në tregun e punës. Si gratë ashtu dhe burrat raportuan se punët e vetme të mundshme ishin ato të sektorit privat ( për ta, ai informal dhe pambrojtje). Në kushte të tilla gjykohej se ishte më mirë të qëndroje në shtëpi.
Roli i grave në sektorin bujqësor[13]
Në mënyrë që të kuptohet më mirë situata e punësimit të grave në Shqipëri është e rëndësishme të shpjegohet shpërpjestimi ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Në zonat rurale mbizotëron ekonomia bujqësore e cila ka një treg pune që operon ndryshe nga tregu i punës në zonat urbane ku mbi zotëron sektori jobujqësor.
Sipas të dhënave të LSMS-së 2005, 39% të të punësuarve në bujqësi e zënë burra dhe djem dhe 59% gra dhe vajza (shih tabelën 1 në Shtojcën 3) dhe 2% mbeten të papërcaktuar. Disa tipare të rëndësishme të sektorit bujqësor janë : a) në shumicën e rajoneve të marra në studim, bujqësia është mundësia e parë për punësim ; b) 2% i papërcaktuar mund të jetë pjesërisht për shkak të emigrimit të lartë të burrave, i cili ka ulur ndjeshëm forcën e mashkullore të punës në zonat rurale; c) nivel i arsimimit të grave në bujqësi është i ulët; d) forcat e punës në bujqësi reflektojnë përbërjen e gjithë popullsisë në moshën e punës (mbi 15 vjeç)) me gratë që janë në numur më shumë se burrat. Në zonat rurale, punësohet e gjithë familja në sektorin bujqësor dhe shpesh në mënyrë informale. Në bujqësi kushtet e punës janë të vështira ndërsa pagat apo të ardhurat prej saj janë shumë të ulëta. Për më tepër, gratë paguhen më pak se burrat në të dy sektorët, siç tregohet edhe në tabelën 3. Veçanërisht, në bujqësi, pagesa neto për gratë është 50% më pak se për burrat, ndërsa në sektorin jobujqësor, megjithëse koha e punës është e njëjtë, paga është afërsisht sa 75% e pagës së meshkujve.
Tabela 3: Paga mesatare neto mujore në lekë, sipas gjinisë
|
Meshkuj
|
Femra
|
Sektori bujqësor
|
13,750
|
9,140
|
Sektori jobujqësor
|
26,182
|
19,730
|
Burimi: LSMS 2005
Të punësuarit në bujqësi janë krysisht punëtorë që punojnë për vete dhe punëtorë të papaguar në fermat familjare (76%). Njerëzit nuk punësojnë dikë që nuk është anëtar i familjes. Ndërkaq fermerët (e anketuar) ankohen për mungesë të krahut të punës. Në shumicën e rasteve ata e deklarojnë veten si persona fizikë. Fermerët prodhojnë kryesisht për nevojat e tyre personale dhe angazhohen në aktivitete të ndryshme bujqësore.. Sipas të dhënave të LSMS të 2005-ës shumë prej tyre shesin produktet e tyre në treg jashtë komunitetit, në tregun e krahinës së tyre (82% të produkteve) dhe shumica e tyre direkt tek konsumatori final. Pra, mungesa e alternativave për punësim i bën meshkujt të mos punojnë në punë të paguara pak sikurse gratë, ndaj dhe ata zgjedhin të mos punojnë në bujqësi por të emigrojnë jashtë si një alternativë e favorshme për ta.
[1] Këtu duhet të thuhet se në rastin e grave i referohet jo vetëm të “papunëve”. Kjo kategori përfshin gra të papuna por gjithashtu dhe gra të larguara nga tregu i punës. Vështirësia në lidhje me përkufizimet është se për shumicën e pjesëmarrësve të quajturit “i papunë” është për të gjitha rastet, përfshi dhe ato që nuk po kërkojnë më për një punë.
[2] Ky mentalitet ka ekzistuar edhe gjatë periudhës komuniste, po duke qenë se politikat shtetërore ishin kundër qëndrimit në shtëpi të grave, nuk shihej me sy të mirë qëndrimi papunë i tyre. Megjithë një sërë arritjesh të asaj periudhe, gratë vuanin ngarkesën e shumëfishtë, sepse brenda shtëpisë vazhdonte ndarja tradicionale e punës.
[3] Danaj E., Festy P., Zhllima E., “Të bëhesh i rritur: sfidat dhe mundësitë për rininë shqiptare” Tiranë, 2005
[5] UNDP, Analiza e Politikës gjinore në MPÇS, Tiranë, 2005
[6] Fakte nga Fokus grupi me gratë në Pakuqan
[7] Albanian Labor Market Assessment, Banka Botërore, faqe 62, maj 2006,
[8] Albanian Labor Market Assessment, Banka Botërore, faqe 62, maj 2006,
[9] Përllogaritjet e stafit të ASC-së nga të dhënat e LSMS-së 2005
[10] Kjo i referohet kryesisht bizneseve të parregjistruara
[11] Në këto raste gratë janë duke punuar në të dy vendet, duke qenë shtëpiake dhe ekonomikisht aktive në të njëjtën kohë.
[12] Albanian Labor Market Assessment, Banka Botërore, faqja 65, maj 2006,
[13] Kjo pjesë i referohet kryesisht raportit të Bankës Botërore “Albanian Labor Market Assessment”, 2006 dhe të dhënave të LSMS-së 2005.