Qëllimi i këtij studimi është të kuptuarit më mirë i punës dhe kujdesit të papaguar në Shqipëri – cila është mbështetja e shtetit në lidhje me punën e papaguar të grave, cilat janë shërbimet sociale që shteti ju ofron grave  për të përballuar përgjegjësitë dhe nevojat e shtëpisë? Cila është lidhja ndërmjet punës së papaguar të grave dhe angazhimit të tyre ekonomik? Cili është kuptimi që kanë burrat dhe gratë për të drejtat e tyre kundrejt mbështetjes së shtetit për familjen dhe punën e papaguar shtëpiake?  

Është e rëndësishme të vihet në dukje se në këtë raport me “shërbime sociale” përcaktojmë jo vetëm shërbimet për grupet në nevojë, por të gjitha shërbimet për përmirësimin e standardeve të jetesës, siç janë kujdesi për fëmijët, kujdesi për të moshuarit, shërbimet arsimore dhe shëndetësore, si dhe furnizimi i popullsisë me nevojat bazike si energji elektrike, shërbime sanitare, ujë, etj. 

Familja – një vështrim i përgjithshëm

Për realizimin e fokus grupeve, ASC-ja zgjodhi 10 bashki: të Kukësit, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Tiranës[1], Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Fierit dhe Vlorës. Në Tiranë u zgjodhën dy njësi bashkiake,  nr. 5 dhe nr. 6, me karakteristika të ndryshme nga njëra tjetra, në mënyrë që të kishim një përfaqësim më të mirë. Bashkitë e mësipërme u zgjodhën në mënyrë që të përfaqësonin të gjitha zonat e vendit si dhe karakteristika të ndryshme si nivelet e ndryshme të varfërisë, tregu i punës, migrimi, mundësitë, potencialet etj. ASC-ja realizoi diskutimet në fokus grupet në dy zona periferike si Vau i Dejës në Shkodër dhe Paskuqani në Tiranë. Këto zona u përzgjodhën në bazë të veçorive të tyre por gjithashtu edhe si dy zona dikur rurale e që tanimë konsiderohen si urbane (Vau i Dejës tani është bashki dhe Paskuqani është  diskutuar shpesh nëse duhet kategorizuar si bashki). Vau i Dejes është një zonë afër Shkodrës, me një numër të madh emigrantësh (jashtë vendit dhe në zona të tjera brenda vendit), me një nivel të lartë varfërie, por çka është më e rëndësishme me një përqindje të lartë grash e vajzash të papuna. Paskuqani është zonë periferike e Tiranës, e populluar kohët e fundit kryesisht nga migrantë të ardhur nga Veriu i vendit pas vitit 1990. [2]Kjo zonë është në proces legalizimi por sërish ka një shkallë të lartë informalitetit.

Ndërtesat informale në Paskuqan aktualisht janë përfshirë në një proces shumë të gjerë legalizimi, megjithatë niveli i informalitetit në këtë zonë mbetet shumë  problematik. 

Profili i pjesëmarrësve

Ndarja e pjesëmarrësve sipas gjinisë ishte 46.27% meshkuj dhe 53.73% femra. Mosha mesatare e burrave pjesëmarrës në fokus grupe është  43.9 vjec dhe mosha mesatare e grave është 40.8 vjec. Shumica e familjeve të pjesëmarrësve përbëhet nga katër anëtarë, që është dhe numri mesatar i anëtarëve të një familjeje në zonat urbane. Vetëm 6.33 e tyre jetojnë në familje me 7 anëtarë dhe 1.81 e familjeve janë me 8 dhe 9 anëtarë. Ky studim i kryer në zonat urbane nuk është i bazuar në familje të zgjeruara, pasi siç tregojnë dhe të dhënat,[3]  në zonat urbane numri mesatar i anëtarëve të familjes është 4. Analiza e ditareve tregon  se 17.33% e pjesëmarrësve pohojnë se marrin ndihmë ekonomike (NE), që është pjesë e programit shtetëror të ndihmës për të zbutur varfërinë në Shqipëri. Kjo tregon se ata janë në kategorinë e të varfërve sipas përkufizimit zyrtar në varfërisë në vend.[4] 

Puna dhe kujdesi i papaguar i grave – përdorimi i kohës 

Bazuar në diskutimet në FG dhe analizën e ditarëve, mund të shikohet se shumica e kohës së grave gjatë ditës shpenzohet në punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët.

Grafiku 2: Aktivitetet kryesore gjatë mëngjesit 7.00-11.00 (% e grave)[5]

Burimi: analiza e ditarëve të përdorimit të kohës

Siç tregohet në grafik, më shumë se gjysma e grave pjesëmarrëse kanë si aktivitet kryesor në mëngjes pastrimin, blerjet dhe punët e tjera në shtëpi. Përgatitja e drekës është një tjetër aktivitet i rëndësishëm ashtu si dhe kujdesi për fëmijët. Në terma të shpenzimit të kohës gjatë kësaj periudhe, në intervalin 240 minutësh të mëngjesit, rezulton se 134 minuta shpenzohen për pastrimin e shtëpisë dhe pazarin.

Shumica e ditarëve të burrave tregojnë se gjatë këtij intervali ata janë në punë (në punë të paguar). Të tjerët, që nuk janë të punësuar, e shpenzojnë shumicën e kohës duke kërkuar punë ose duke dalë më shokët në ndonjë lokal.

Grafiku 3: Aktivitetet kryesore të grave në periudhën e drekës 11:00-15:00, (% të grave)

Burimi: Analiza e ditarëve të përdorimit të kohës

*marr fëmijët nga shkolla, përgatis ushqimin për fëmijët, i ndihmoj në aktivitete të ndryshme (detyra, lojra etj). 

** në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për prindërit ose prindërit e bashkëshortit

Siç shihet nga grafiku 3, gjatë drekës aktivitetet e punëve të shtëpisë dhe gatimi mbeten ato kryesoret për shumicën e grave pjesëmarrëse. Një aktivitet tjetër është kujdesi për prindërit dhe prindërit e bashkëshortit, dhe kujdesi për fëmijët. Për rreth 12% të grave, “kujdesi për fëmijët” është aktiviteti kryesor që ato kanë raportuar. Në këtë interval kohor, 8% e tyre shprehen se aktiviteti kryesor është ndjekja e programeve televizive, kryesisht telenovelat.

Grafik 4: Aktivitetet kryesore të grave në periudhën e pasdrekës 15:00-19:00 (% të grave)

Burimi: Analiza e ditarëve të përdorimit të kohës

Periudha e pasdrekës (Grafiku 4) është ajo në të cilën gratë kanë më shumë kohë të lirë të shpenzuar kryesisht duke parë TV-në, ndërkohë që aktiviteti i lidhur me përgatitjen për ngrënien e drekës është ai kryesori. Duhet thënë se shprehja e përdorur nga shumë gra për këtë aktivitet ishte “I shërbej drekën burrit”, sepse ato presin që bashkëshortët e tyre të kthehen nga puna (rreth orës 5 pas dreke) dhe hanë drekën rreth kësaj ore.

Grafiku 5 : Aktivitetet kryesore të grave në periudhën e darkës 19:00-21:00 (% të grave)

Burimi: Analiza e ditarëve të përdorimit të kohës

Kujdes për fëmijët nuk do të thotë vetëm kujdes për fëmijët e vegjël, por edhe ndihmë për fëmijët më të rritur për detyrat e shtëpisë apo detyrime të tjera shkollore.

Në grafikun 5 shihet se punët e shtëpisë janë përsëri aktiviteti kryesor, se rreth 33% e grave raportojnë si aktivitet kryesor gatimin dhe pastrimin me qëllim parapërgatitjen e punës së nesërme. Kujdesi për fëmijët është aktiviteti kryesor i këtij intervali për rreth 32% të grave.

Vërehen dallime gjinore në lidhje me sasinë e kohës së lirë të grave dhe burrave. Studimi tregon se gratë kanë shumë pak kohë të lirë krahasuar me burrat, për shkak të angazhimeve të tyre shtëpiake. Ky është rasti si për gratë e punësuara me pagë ashtu edhe për ato të papuna ose ekonomikisht jo aktive. Siç pohojnë vetë gratë, ato shpenzojnë shumë pak kohë për veten e tyre, ose për aktivitete argëtuese. Kjo duket gjithashtu në faktin se ato venë buzën në gaz me trishtim kur i përgjigjen kësaj pyetjeje, duke thënë se nuk kanë kohë dhe as pará për të shpenzuar për veten e tyre. Ky është më shumë rasti në Paskuqan, Vaun e Dejës dhe Rrëshen dhe kjo mund të jetë në korelacion edhe me nivelin e lartë të varfërisë në këto zona. Në këto rajone, fokus grupet tregojnë se kjo lidhet edhe me mentalitetin patriarkal sipas të cilit gratë duhet të kujdesen për anëtarët e familjes, dhe vetëm së fundi mund t’i kushtojnë pak kohë vetes. Në diskutimet e tjera, ishte më shumë çështje kohe për shkak të angazhimeve familjare si dhe për shkak të mungesës së të ardhurave. Kjo lidhet edhe me çështjen e varësisë ekonomike të grave, që është një problem shumë i mprehtë për të cilin do të flasim më tej në këtë raport.

Siç rezulton nga diskutimet në fokus grupe dhe nga analiza e ditarëve, aktivitetet kryesore të grave gjatë ditës (05.00-23.00), janë angazhimet shtëpiake (punët e shtëpisë, gatimi) dhe kujdesi për fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ky nuk është rasti i burrave, të cilët raportojnë se kohën më të madhe e kalojnë në punën e paguar, në kërkim të një pune të paguar, duke pirë kafe me miqtë në ndonjë lokal, ose duke u marrë me ndonjë sport.

Shumë pak gra thonë se lexojnë ndonjë libër, ose shkojnë në kinema apo teatër (kjo ndodh edhe se  nuk ofrohen të tilla aktivitete kulturore si për burrat ashtu edhe për gratë). Por, ndërsa burrat mund të dalin të pinë një kafe me miqtë, ose të merren me ndonjë aktivitet sportiv, ky nuk është rasti për gratë. Pra, përmbajtja e kohës së lirë për burrat dhe për gratë është e ndryshme- ndërsa  të parët kohën e lirë e kalojnë më së tepërmi jashtë shtëpisë, për gratë ajo kufizohet brenda shtëpisë.  Në lidhje me fundjavën, gratë në fokus grupe thonë se kjo është një kohë për më shumë punë shtëpie. Ato pothuajse nuk lëvizin jashtë shtëpisë, përveç se për të bërë pazar ose ndonjë vizitë te të afërmit apo miqtë e familjes.

Pra, pesha e një pune të paguar dhe e të kujdesurit për shtëpinë dhe anëtarët e familjes përbëjnë një pengesë të madhe për pjesëmarrjen e grave në jetën sociale dhe politike. Mungesa e pjesëmarrjes sociale dhe civile limitojnë në mënyrë të theksuar kapacitetet e tyre për të kuptuar dhe për tu ndërgjegjësuar mbi programet e ndryshme socio-ekonomike, shërbimet dhe mundësitë e disponueshme në komunitet dhe më gjerë. Situata është e ndryshme për burrat të cilët e kalojnë një pjesë të mirë të kohës jashtë shtëpisë. Kur bëhet fjalë për angazhimin në jetën publike, gratë nuk marrin pjesë në debate dhe takime të organizuara nga qeverisja vendore. Shpesh, ato thonë se nuk kanë informacion për debate të tilla, por në raste të tjera (dhe kjo është shumë e rëndësishme) ato shprehen se nuk kanë arsye të marrin pjesë në aktivitete të tilla sepse nuk kanë asnjë shpresë për ndryshim, janë pesimiste dhe edhe në rast se do të merrnin pjesë kjo nuk do të kishte asnjë vlerë. Mungesa e besimit tek debatet dhe takimet u shpreh si nga burrat dhe nga gratë. Takimet dhe aktivitetet e organizuara nga organizatat jo-fitimprurëse janë në përgjithësi të vetmet mundësi për të marrë pjesë. Gjendja është shumë më problematike në zonat ku organizata të tilla mungojnë.

Megjithatë, ne vumë re se pak gra pjesëmarrëse e theksuan mungesën e e pjesëmarrjes në jetën sociale dhe politike si një problem. Për gratë e papuna dhe ekonomikisht jo aktive, gjetja e një pune lidhej më së tepërmi me pagesën. Ato thonë se nëse nuk gjejnë një punë të paguar mirë, më mirë të rrinë në shtëpi. Por, siç e thekson studimi jonë, shpesh kjo do të thotë izolim nga aktivitetet që nuk përfshihen në shtëpi dhe mundësi më të pakta për angazhim në jetën publike. 

Diskutimet në FG tregojnë se në të shumtën e rasteve, burrat kanë rolin vendimmarrës në familje. Kjo u vu re kur bëhej fjalë për mbajtjen e buxhetit brenda familjes. Shumica e tyre (si burra ashtu edhe gra) thanë se burri mbante buxhetin e familjes. Kjo shoqërohej edhe nga komentet e grave se nuk duhet të ishte burri ngaqë ai nuk i njihte mirë nevojat konkrete të shtëpisë ose do të harxhonte më shumë para për sende jo të vlefshme për të gjithë familjen, etj. Burrat, nga ana tjetër, thanë se ata ishin kryefamiljarët, dhe disa prej tyre shtonin se “ne jemi ata që sjellim të ardhura në shtëpi”. Kur bëhet fjalë për vendimmarrjen në lidhje me shpenzimin e parave, në përgjithësi vendimi merret nga burri, që gjithashtu  i rezervon vetes të drejtën për të vendosur për numrin e fëmijëve, edukimin e tyre, migrimin e familjes ose të një anëtari të saj, si dhe martesën e fëmijëve etj. Gratë kanë më shumë një rol informues dhe këshillues mbi nevojën për të blerë ushqime të caktuara, ose ato këshillojnë edhe mbi shitjen e produkteve të prodhuara në shtëpi. Kjo çështje është shumë e lidhur me aksesin e grave tek të ardhurat dhe pavarësinë ekonomike. Sikurse u tha më sipër, vihet re edhe në komentet e tyre se gratë, në krahasim me burrat, shpenzojnë shumë më pak për veten e tyre, vetëm në rastet kur nevojitet vërtet.

“Pjesëmarrja e grave në vendimmarrjen brenda familjes influencohet edhe nga aksesi i varfër tek informacioni dhe dija. Të jetosh një jetë të izoluar sociale ndikon negativisht tek informacioni. Fuqizimi për gratë e varfra dhe gratë në zonat rurale në lidhje me procesin e vendimmarrjes brenda familjes rritet nëpërmjet një rritjeje të nivelit arsimor dhe të informacionit, ashtu si dhe rritjes së të ardhurave.  Shumë OJF po punojnë bashkërisht për këtë qëllim dhe ato e kanë shtrirë zërin e tyre edhe në rajonet ku ka një koncentrim të papunësisë dhe si rrjedhojë të grave të varfra, duke iu ofruar atyre informacion, këshilla dhe duke mbështetur zhvillimin e tyre profesional [6].

Puna dhe kujdesi i papaguar i grave – Mbrojtja sociale dhe Shërbimet sociale

Ajo që del nga ky studim është se mungesa e informacionit dhe aksesi i limituar tek shërbimet sociale është një nga çështjet (por jo e vetmja) që i detyron gratë të jenë “të bllokuara” nën peshën e përgjegjësive të punës dhe kujdesit të papaguar. Në seksionin e mëposhtëm bëhet një analizë e shërbimeve sociale kryesore që do të mund të mbështesnin gratë në lidhje me punën e tyre të papaguar.

Kujdesi për fëmijët, të moshuarit, dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Një nga përgjegjësitë kryesore në punën dhe kujdesin e papaguar është ajo për fëmijët. Kujdesi për fëmijët është një nga çështjet kryesore që duhet analizuar kur flitet për angazhimet e gruas në përgjithësi. Kjo mund të duket si një përsëritje por në Shqipëri, si në shumë vende të botës, gratë konsiderohen si i vetmi person përgjegjës për kujdesin për fëmijët. Gjatë periudhës së regjimit komunist, për shkak të politikës inkurajuese të punësimit të plotë të gruas dhe edukimit të saj, kishte çerdhe dhe kopshte ditore publike për fëmijët. Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, gratë kishin një ngarkesë të trefishtë mbi  shpatullat e tyre: ato duhej të ishin të angazhuara në një punë të paguar, të kujdeseshin për punët e shtëpisë dhe angazhimet e tjera të familjes, dhe gjithashtu të merrnin pjesë në jetën sociale dhe të komunitetit. Kështu që megjithëse politika vinte theksin mbi promovimin e gruas dhe barazisë gjinore, rrënjët e mentalitetit mbetën të forta, duke e detyruar gruan të përballonte ngarkesën e shumëfishtë. Kjo u vu re edhe pas 1990-s, kur me rënien e komunizmit, u rishfaqën shumë tradita zakonore të fillimit të shekullit të 20-të.

Pas 1990, me ndryshimet e mëdha që ndodhën në shoqërinë shqiptare, sistemi ekzistues i institucioneve të kujdesit të fëmijëve përjetoi ndryshime serioze dhe me kah përkeqësues. Përsa i përket kësaj, duhet evidentuar se procesi i shthurjes së këtyre institucioneve dhe mbyllja e vendeve të punës për gratë kanë shumë lidhje me njëri tjetrin. Nëse shohim shifrat në vite duket se ka një rënie të madhe si në numrin e kopshteve si institucione ashtu dhe në numrin e  fëmijëve që shkojnë në kopshte. Rënia erdhi si rezultat i tronditjes së përgjithshme institucionale në Shqipëri, e cila u shoqërua me shkatërrimin e  shumë shkollave, kopshteve, ndërmarrjeve etj. Një arsye tjetër që ecën paralel me këtë është mbyllja e shumë vendeve të punës pas 1990, që preku më shumë gratë. Largimi i grave nga tregu i punës çoi në një rënie të numrit të fëmijëve që merrnin kujdesin në kopshte meqë ishte më e preferueshme të mbaheshin fëmijët në shtëpi se sa t’i dërgonin në këto qendra kujdesi ose kopshte me kushte të papërshtatshme dhe larg vendbanimit (i cili në situatën e pasigurt të asaj kohe, mund të konsiderohet një faktor shumë domethënës, sidomos në zonat rurale[7]).

Bazuar në diskutimet e fokus grupeve, del se një nga çështjet kryesore të ngritura nga gratë pjesmarrëse është mungesa, sasiore dhe cilësore, e qendrave të kujdesit ditor dhe kopshteve. Ato thanë se kujdesen vetë për fëmijët e tyre sepse nuk kanë besim në institucionet publike, qendrat ditore të kujdesit apo kopshtet, ose sepse është shumë e vështirë t’i çojnë fëmijët në një institucion të mirë. Për shembull, gjatë diskutimeve të fokus grupeve në Tiranë, një nga gratë pjesëmarrëse, e cila priste të lindte një fëmijë, tha se nuk e kishte vendosur ende nëse do të kthehej në punë pas lindjes së fëmijës, sepse nuk kishte kush kujdesej për fëmijën: ajo nuk kishte të afërm pensionistë, cilësia e qendrave ditore publike ishte e varfër, dhe “ ato cilësoret janë të pamjaftueshme dhe është vështirë të kesh akses në to”, në të njëjtën kohë, të ardhurat e saj nuk ia mundësonin një qendër ditore kujdesi private ose një dado (babysitter). Kështu që, hapja e cerdheve dhe kopshtet nuk duket se e kanë zgjidhur problemin për nënat e reja, sepse shpesh ato nuk mund të përballojnë koston.

Aktualisht, institucionet parashkollore (kopshtet) që pranojnë fëmijë të moshës 3 deri 6 vjeç janë nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës meqë konsiderohen si institucione për edukimin fillestar të fëmijëve. Qendrat ditore të kujdesit, (cerdhet) që mund të konsiderohen institucione të kujdesit të fëmijëve 0-3 vjeç, janë nën varësinë e pushtetit vendor. Ka një rritje të qendrave ditore të kujdesit, private, por cilësia që ato ofrojnë kushton shumë dhe kostoja është e vështirë të përballohet.

Rënia e numrit të institucioneve të kujdesit dhe edukimit të fëmijëve të moshës 0-6 vjeç, nuk ka njohur ndonjë rritje të konsiderueshme, më tej, dhe krahasimi me periudhën para 1990 është mbresëlënës.. Krahasuar me 1990, në 2003 kishte 60% më pak kopshte në zonat urbane  dhe 49% në zonat rurale. Sipas LSMS 2002, arsyeja kryesore përse fëmijët nuk çoheshin në kopshte është se nuk ia vlente ose largësia e madhe për të shkuar deri tek ato. Përsa i përket sistemit të kujdesit të fëmijëve për moshën 0-3 vjeç nuk ka të dhëna zyrtare. Duke iu referuar të dhënave jozyrtare vetëm 10% e fëmijëve 0-3 vjeç shkojnë në çerdhe e kopshte[8].

Nëse i referohemi të dhënave të LSMS, rezulton se varfëria është një faktor tjetër që ndikon në pjesëmarrjen e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte. Përqindja e neto e pjesëmarrjes për jo – të varfërit është 38.4%, për të varfërit është 18.2%, dhe për shumë të varfërit 10.0%.[9]  Shumë më pak fëmijë nga familje të varfëra shkojnë në kopshte krahasuar me ato më pak të varfëra. Sipas MICS-së 2005, diferencime domethënëse mbeten mes fëmijëve që jetojnë në familje shumë të pasura – 59.2 përqind frekuentojnë institucionet parashkollore-  dhe fëmijëve të familjeve shumë të varfëra – vetëm 25.7 përqind.

Si rezultat, ne mund të arrijmë në përfundimin se gratë në familjet e varfëra janë më në disavantazh meqë ato nuk mund të përfitojnë nga shërbimet e ndryshme ose lehtësitë, të cilat kanë kosto. Një arsye tjetër që ka çuar në mbylljen e institucioneve parashkollore është mungesa e fondeve të nevojshme. Buxheti parashkollor përbën vetëm 5% të buxhetit të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.[10]

Përveç kujdesit për fëmijët e vegjël, që rezulton të jetë një nga shkaqet për mos pjesëmarrjen në tregun e punës, mund të shtojmë edhe kujdesin për fëmijët  që frekuentojnë shkollën. Sipas analizës së diskutimit në fokus grupe, gratë pohojnë se ato kujdesen për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ato vetë i shoqërojnë fëmijët në shkollë, marrin pjesë në takimet  mësues – prindër në shkollë, ndjekin progresin e fëmijëve dhe rezultatet e tyre. Kjo natyrisht që ka një impakt në ecurinë e gruas në tregun e punës – informale dhe formale. Numri i burrave që thonë se kujdesen për fëmijët e tyre është shumë i vogël. Në përgjithësi, duke u bazuar gjithashtu edhe në analizat e ditareve, burrat kthehen në shtëpi shumë vonë dhe largohen nga shtëpia shumë herët në mëngjes.

Kujdesi për të moshuarit

Nga diskutimi në fokus grup doli se gratë kujdesen jo vetëm për fëmijët e tyre dhe bashkëshortët, por edhe për të moshuarit në familje. Ashtu siç u përmend më sipër, pjesëmarrësit nga familje të zgjeruara me numur të madh anëtarësh ishin të pakët në kërkim , sepse u fokusuam vetëm në zonat urbane. Kështu që, aktiviteti për kujdesin e të moshuarve nuk është ndër ata që zënë më të shumtën e kohës së grave në zonat urbane. Por kemi arsye të mendojmë se është ndryshe për gratë e zonave rurale, ku familjet me numur të madh anëtarësh që jetojnë në një banesë janë më të shumta. Ashtu siç shihet në grafikun e mësipërm, mes aktiviteteve në mëngjes “kujdesi për të moshuarit” ishte aktiviteti kryesor për 2% të grave. Gjithashtu gjatë orëve 11.00-15.00, rreth 11% e grave shkojnë për të parë dhe kujdesur për prindërit dhe prindërit e bashkëshortit.

Sipas dy strategjive (Strategjia e Shërbimeve Sociale dhe Strategjia e Sektorit të Mbrojtjes Sociale) një nga grupet në nevojë janë të moshuarit. Kështu që, sipas përkufizimit të shërbimit social i përdorur nga këto dy strategji, të moshuarit janë ndër përfituesit parësorë të shërbimeve sociale shtetërore. Sidoqoftë, sipas këtyre strategjive, shërbimet sociale janë të adresuar te personat e moshuar të vetmuar, në qendra ose në shtëpi dhe jo për ata që jetojnë me familje.  Kështu që në këto strategji nuk është bërë asnjë lidhje me punën dhe kujdesin e papaguar të grave. Meqë strategjitë janë të adresuara për personat e moshuar të vetmuar, rezulton që për të tjerët përgjegjësia për kujdes shkon te familjet që si në shumë raste të tjera zëvendësojnë rrjetet e mbrojtjes sociale që duhet të sigurohen nga shteti. [11]

Por, brenda familjes përgjegjësia dhe pesha e kujdesit për anëtarët e tjerë dhe për punët rëndon eskluzivisht te gratë që e vuajnë më shumë mangësinë e mbështetjen e dobët shtetërore. Përsa i përket kujdesit për të moshuarit, ngritja e institucioneve nuk është e vetmja rrugë e kujdesit, megjithëse është ende e nevojshme. Një nga mënyrat e tjera të kujdesit mund të jetë shërbimi shëndetësor parësor i ofruar në shtëpi. [12]

Ka një numër të madh të moshuarish që jetojnë me fëmijët e tyre (të martuar apo jo).Sipas të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë ne kemi një numër të madh çiftesh të reja të martuara që jetojnë me prindërit e njërit prej tyre, siç tregohet në tabelën më poshtë. Jetesa me prindërit e bashkëshortit (burrë) ka qenë një praktikë shumë e përhapur para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.[13] Gjatë regjimit komunist, meqë familja bërthamë propagandohej si qeliza bazë e shoqërisë, shteti u përpoq t’u siguronte strehimin çifteve të reja të martuara. Por pas krizës së fundit të viteve 70, ishte shumë e vështirë për çiftet e reja të merrnin një apartament prandaj ishin të detyruar të jetonin në një banesë me të tjerë të afërm e familjarë.. Pas vitit 1990 ka akoma një numër të madh familjesh që jetojnë në banesa të përbashketa me prindërit. Por në këtë rast kjo ndodh  si rezultat i mbështetjes reciproke, duke patur parasysh se nga njëra anë situata është shumë e vështirë për të rinjtë që nuk mund të përballojnë dot blerjen apo marrjen me qira të një apartamenti, dhe nga ana tjetër janë të moshuarit që nuk mund të jetojnë të vetëm për shkak të pensioneve tepër të ulët dhe mungesës së shumë lehtësirave[14].

Mbrojtja sociale

Sistemi i sigurimeve shoqërore përfshin pension pleqërie, përfitimet për papunësi, përfitimin për barrë lindje[15], pension invaliditeti. Siç u përmend më sipër pjesa më e madhe e grave pjesëmarrëse në fokus grup nuk janë të përfshira në punë të paguara dhe me mbrojtje sociale. Kështu që ato nuk janë të përfshira në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ato dinë vetëm se mund të paguajnë në mënyrë vullnetare sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por atyre u duket kjo shumë e shtrenjtë dhe e papërballueshme. Ky fakt u soll edhe nga burrat. Pjesa më e madhe e burrave paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, por atyre u duket thuajse e pamundur të paguajnë sigurimet vullnetare për gratë e tyre. Fakti i të qenit të siguruar apo jo, përsa i përket sistemit të kujdesit shëndetësor u dukej i panevojshëm, sepse në çdo rast “të duhet të paguash diçka”[16], dhe gratë janë më të diskriminuarat meqë janë të varura ekonomikisht nga bashkëshortët e tyre.

Nuk ka përfitime specifike familjare, ose programe për mirëqenien e fëmijëve, por ka disa kompensime suplementare që kanë lidhje me rritjen e  pensioneve dhe me  përfitimin e të papunëve për fëmijët dhe anëtarë të tjerë të familjes nën varësinë e tyre, si dhe kompensimi për rritjen e çmimit të bukës dhe energjisë elektrike.

Puna dhe kujdesi i papaguar i grave – Aksesi në kujdesin shëndetësor

Përsa i përket aksesit në shërbimin shëndetësor, shumë nga gratë pjesëmarrëse në fokus grupe, janë jashtë tregut të punës dhe për rrjedhojë nuk janë të përfshira në skemat e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor. Për këtë arsye, ato thanë se u duhet të paguajnë me lekë në dorë për çdo vizitë mjekësore ose trajtim. Megjithatë edhe ato gra pjesëmarrëse që janë të punësuara dhe të siguruara pohojnë se, në përgjithësi, atyre u duhet të paguajnë për shërbimin shëndetësor me lekë në dorë.[17] Këtu duhet theksuar se gratë kujdesen shumë pak për veten e tyre. Ashtu si edhe përmendin vetë, paratë dhe kohën ato i shpenzojnë vetëm kur është e domosdoshme. Në fakt edhe kur janë të sëmura ato shkojnë në qendrat e kujdesit shëndetësor vetëm pasi janë kujdesur për “detyrimet” e tjera familjare.

Analiza gjinore e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë[18] tregon se nëse do të bënim një lidhje mes numrit të reduktuar të shtretërve në spital dhe rritjes së   përdorimit të këtyre shtretërve, do dukej kontradiktore. Shpjegimi mund të qëndrojë në pamundësinë për të mbajtur pacientët në spital për një kohë të gjatë (e cila ndonjëherë është e nevojshme). Megjithëkëtë pacientët duhet të largohen nga spitali që të lirojnë dhomën për të tjerët që kanë nevojë për shërbimin shëndetësor spitalor. Një element tjetër që ne duhet të kemi parasysh nga institucionet shtetërore është fakti se kohëzgjatja e qëndrimit të personave të sëmurë në spital ka rënë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kujdesit shtëpiak për të sëmurët. Zakonisht, kujdesi për të sëmurët është një rol që luhet kryesisht nga gratë, duke rritur kështu barrën e saj në familje; kjo shoqërohet me një rënie të efiçencës së punës së tyre jashtë shtëpisë (nëse ato janë të punësuara). Ajo çfarë duhet theksuar në këtë pjesë është se shërbimet shoqërore ndoshta nuk duhen konsideruar më vetëm si shërbime për grupe në nevojë por duhet të shtrihen edhe më gjerë. Qendrat e kujdesit për fëmijët ose të moshuarit  nuk duhet vetëm të fokusohen te të sëmurët  ose jetimët, por te të gjithë, duke shërbyer si një mbështetje e fuqishme për angazhimet e shtëpisë dhe ngarkesat e shumëfishta që gratë duhet të përballojnë.

Duke iu referuar të njëjtit dokument, vihet re një rënie në numrin e vizitave të nënave dhe fëmijëve në qendrat e kujdesit. Ky konsiderohet si një problem shumë i rëndësishëm me efekt të madh, sepse prek drejtpërdrejt shëndetin e nënave dhe të fëmijëve, mirërritjen dhe mirëushqyerjen e tyre. Në këtë pikë, ne duhet të kemi parasysh faktin se shërbime të tilla marrin përparësi veçanërisht në zona të veçanta ku për shkak të lëvizjeve migruese, numri i vajzave të reja të paarsimuara është rritur dhe ato vuajnë nga një mungesë edukimi në lidhje me rëndësinë e kujdesit shëndetësor për veten, mungesë informacioni mbi shëndetin riprodhues, etj. Në këto kushte, ky shërbim është thelbësor, si për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe për rritjen e një brezi të shëndetshëm. Sipas diskutimeve në fokus grupet dhe pas intervistimeve të infermiereve të konsultoreve me të cilat kontaktuam në Librazhd, Tiranë dhe Paskuqan, u duk se kishte një rënie në numrin e vizitave të paralindjes nga gratë shtatzëna. Ka një rënie të kujdesit para lindjes (prenatal), gratë shkojnë të bëjnë kontroll vetëm në muajt e fundit të shtatzënisë.

Legjislacioni shqiptar ofron mbështetje të veçantë dhe shërbime të kujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët. “Të gjitha gratë shtatzëna përfitojnë kontrolle shtatzënie periodike falas, para dhe pas lindjes si dhe ekzaminime të detyrueshme para dhe paslindjes, të përcaktuara me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë”[19]. Pavarësisht proklamimit të tyre, si zbatimi i këtyre masave të parashikuara, ashtu edhe cilësia e shërbimit shëndetësor, është e pamjaftueshme.[20] Gjatë diskutimeve me gratë në fokus grupet dhe gjatë intervistave me infermieret u tha se përsa i përket një rregulli të kohëve të fundit, gratë shtatzëna që nuk kanë një librezë shëndetësie të regjistruar, nuk përfitojnë nga shërbimet falas. Për shkak se shumë gra punojnë në tregun informal të punës, ose janë tërësisht të tërhequra nga tregu i punës,  dhe nuk bëjnë pjesë në skemën e sigurimeve shëndetësore, ato nuk mund  të përfitojnë nga shërbimi falas edhe i kujdesit gjatë paralindjes, gjë që kufizon të drejtat e tyre dhe mirëqenien e tyre.

Rezulton se në rastin e grave të punësuara  ka një rënie jo vetëm në kujdesin prenatal (paralindjes) por edhe në atë post-natal (pas lindjes) si për gratë ashtu edhe për fëmijët,. Në Paskuqan, infermieret na thanë se ka shumë raste kur nënat e reja janë të detyruara të rifillojnë punët dhe kujdesin për shtëpinë shumë pak ditë pas lindjes. Ato më shumë janë të detyruara nga vjehrrat e tyre që thonë se “lindja nuk është asgjë, ne kemi lindur nga 8 fëmijë dhe pastaj i jemi futur sërish punës” kështu që “nuk është normale të qëndrojnë në shtrat apo të bëjnë kontrolle pas lindjes”. Kjo tregon të tjera forma tradicionale të normave  gjinore të cilat janë akoma të pranishme dhe ndikojnë në  pozicionin e grave si dhe mirëqenien e tyre.

Sipas intervistave me infermieret në qendrat e kujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët, shumë nëna të reja janë të detyruara të kthehen në punë shpejt, pa e shfrytëzuar të gjithë  lejen e lindjes. Kjo zakonisht ndodh sepse ato rrezikojnë të humbasin punën dhe sepse në disa raste pagesa e lejes së lindjes, është shumë më e ulët se paga e tyre.[21]

Nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me rastet diskriminuese per shkak shtatzënie apo mëmësie në sektorët publikë apo privatë. Sidoqoftë mendohet dhe u konfirmua nga disa prej pjesëmarrësve në fokus grupe  se  në sektorin privat gratë janë subjekt i diskriminimit për shkak të shtatzënisë apo mëmësisë. Zakonisht një grua nuk punësohet nëse ajo është shtatzënë apo ka fëmijë të vegjël. Nuk ka raste të raportimit në gjykatë dhe kjo ndoshta ndodh për shkak të mungesës së njohurive rreth legjislacionit që garanton të drejtat e punës për këtë kategori grash, ose ndoshta për shkak të mungesës së besimit të grave që ato efektivisht mund t’i mbrojnë dhe të fitojnë të drejtat e tyre, e prandaj nuk bëjnë asnjë denoncim. [22][23]

Puna dhe Kujdesi i Papaguar i Grave dhe lehtësirat e nevojshme

Nga analiza e kohës nëpër ditarë rezulton qartë se furnizimi me ujë të pijshëm është një nga aktivitetet e grave gjatë ditës gjë që s’mund të thuhet për burrat. Përveç gatimit, pastrimit, kujdesit për fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes, ato kanë si detyrë të furnizojnë me ujë familjen nga burime të përbashkëta në lagje, sepse furnizimi më ujë nuk sigurohet nga institucionet përgjegjëse,

Uji ka qenë gjithmonë problematik në Shqipëri, por situata është përkeqësuar edhe më shumë kohët e fundit jo vetëm për shkak të rritjes së kërkesës për ujë, thatësirave të fundit por edhe si pasojë e një investimi të ulët në infrastrukturën e furnizimit me ujë, e cila ka mbetur po ajo që nga periudha komuniste. Vetëm 53,1% e popullsisë shqiptare ka akses në ujin e rrjedhshëm në shtëpi dhe 16% ka akses jashtë saj. Përqindja e popullsisë që nuk ka akses për ujin e rrjedhshëm është ende shumë e lartë dhe qëndron në nivelin e 30%. Kjo mungesë investimesh shoqërohet nga një menaxhim i keq i burimeve ekzistuese, që kanë krijuar një situatë problematike për zona të gjera të vendit që vuajnë mungesa të gjata të ujit. Vetëm 47% e popullsisë kanë ujë të rrjedhshëm gjatë ditës, kur pjesa tjetër e popullsisë gëzon vetëm 6 orë në ditë ujë. [24]

Sektori energjetik në Shqipëri po pëson një krizë. Ndërkohë që  kërkesa është në rritje, burimet për t’u përballur me të nuk kanë ndryshuar. Edhe burimet ekzistuese nuk janë administruar mirë gjatë kësaj periudhe. Kjo situatë e ka shndërruar çështjen e furnizimit me energji në një nga problemet më të mprehta me të cilën po përballet shoqëria shqiptare në ditët e sotme. 85,7% përjetojnë disa lloje kufizimesh elektrike, ku 71,5% kanë ndërprerje të përditëshme të energjisë. Mbulimi mesatar gjatë ditës është 6-8 orë. E njëjta pamje na shfaqet gjatë analizës së të dhënave të ngrohjes. Ngrohja qendrore ka qenë dhe është pothuajse e paqenë në Shqipëri. Situata e ngrohjes nuk është përmirësuar as pas viteve 90. Pra 99,9% e shqiptareve nuk kanë akses në asnjë lloj ngrohje qendrore. Pjesa më e madhe e popullsisë, rreth 58,1%, përdorin soba me dru për t’u ngrohur, me gaz dhe elektrike, respektivisht  25,4% dhe 13,5%.[25] Në këtë paragraf, të dhënat i referohen LSMS 2002; sidoqoftë, situata e furnizimit me energji elektrike mbetet problematike dhe në disa raste, shqetësuese. Mendohet se situata për gratë në zonat rurale është më e keqe përsa i përket ngrohjes dhe gatimit, sepse gratë duhet t’i mbledhin drutë vetë, gjë që nuk duket se ndodh në zonat urbane, ku ka biznese private për këtë. Shumë filma dokumentarë për situatën e gruas në zonat rurale shpesh tregojnë gra që mbajnë në kurriz dru për ngrohje, gatim e të tjera.

Furnizimi me elektricitet, ujë dhe shërbime sanitare është një aspekt shumë i rëndësishëm përsa i përket lehtësimit të shërbimeve të grave për punët dhe kujdesin e papaguar, në familje. Gjatë vazhdimit të diskutimit në fokus grupet me gra e burra, një nga pyetjet kishte të bënte me situatën e pajisjeve elektroshtëpiake, të cilat janë të nevojshme për gratë në punët e shtëpisë. Të gjitha pjesëmarrëset thanë se ato i kishin të gjitha mjetet e nevojshme në shtëpi, përfshirë frigoriferë, lavatriçe, një pjesë e mirë edhe fshirëse me korent, soba etj. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, mungesa e ujit dhe e energjisë, e bën përdorimin e tyre të pamundur gjatë pjesës më të madhe të kohës, sepse (me përjashtim të Tiranës që ka kufizime më të afatshkurta të ujit dhe elektricitetit), kufizimet e elektricitetit dhe ujit janë shumë të konsiderueshme.

Sipas pjesëmarrësve të fokus grupeve, zotërimi i pajisjeve shtëpiake nuk ishte edhe aq i rëndësishëm – ato më të shumtën nuk përdoreshin, sidomos mjetet më të dobishme për gratë, si lavatriçja apo fshirësja me korrent. Përveç kësaj, mungesa e ujit dhe elektricitetit e detyron gruan të shpenzojë një kohë të madhe me sigurimin e ujit jashtë familjes. Kjo çon jo vetëm në një lodhje të madhe fizike, por edhe në një presion e lodhje psikologjike siç pohojnë vetë ato. Mungesa e ujit dhe e elektricitetit ndikon gjithashtu në orët që ato shpenzojnë për kujdesin e fëmijëve ose të punëve të shtëpisë. Mungesa e ujit dhe e elektricitetit është një problem që prek të gjithë, por gratë janë ato që vuajnë më shumë nga këto mungesa , sepse ato janë përgjegjëse për punët e shtëpisë, për kujdesin e fëmijëve, të të moshuarve, dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Gratë (në disa raste edhe fëmijët) shpenzojnë shumë kohë për të marrë ujë nga burime të përbashkëta në lagje. Jo vetëm që kjo konsumon kohë  por ajo që është më e rëndësishmja, ndikon në kushtet e tyre fizike e të përgjithshme  sepse u duhet të bëjnë punë të rënda për të marrë ujë, larje me dorë etj. duke përjetuar kështu më pak orë gjumë, më shumë presion psikologjik.

Puna dhe Kujdesi i Papaguar i Grave – Ndikimi në angazhimin ekonomik

Përqindja e grave dhe vajzave të papuna është më e lartë se ajo e burrave dhe djemve.  Sipas statistikave zyrtare të siguruara nga INSTAT-i në 2006 përqindja e grave dhe vajzave të papuna është 16.8 dhe për burrat dhe djemtë është  11.8.[26] Por, ajo çfarë është më e rëndësishme është që gratë po tërhiqen nga tregu i punës duke u bërë ekonomikisht joaktive. Problemi i aktivitetit ekonomik të grave ka të bëjë më shumë me vështirësitë për hyrjen në tregun e punës. Vështirësitë janë të lidhura me faktin që pjesa më e madhe e punëve janë më të përshtatshme për burrat (si p.sh. sektori i ndërtimit që është edhe më i rëndësishmi, siç raportohet nga shumica e pjesëmarrësve). Një tjetër problem i theksuar fort gjatë diskutimeve është që në disa qytete, si në Fier dhe në Vlorë, ka një diskriminim moshor të grave. Gratë dhe vajzat e reja, të pamartuara janë më shumë të preferuara se sa të martuarat, me fëmijë etj. Vështirësia e grave dhe vajzave për të hyrë në tregun e punës u theksua gjatë gjithë diskutimeve të fokus grupeve [27]

Një faktor tjetër i rëndësishëm është dhe përfshirja e madhe e grave dhe vajzave  në tregun informal e të pambrojtur të punës. Siç është përmendur dhe më sipër, 60% e punonjësve në tregun informal të punës në sektorin privat jobujqësor janë gra dhe vajza. Kjo do te thotë se ndërmjet grave dhe vajzave të punësuara në sektorin privat jobujqësor, 60% e tyre janë të përfshira në një treg të pambrojtur pune që përbën një grup të madh të përjashtuar nga sistemi i mbrojtjes sociale. Kur gratë pyeten nëse do të preferonin një punë me pagesë apo të qëndronin në shtëpi e të kujdeseshin për familjen, shumica e tyre pohon se do të kishin preferuar të parën. Por, ato shtojnë se preferojnë të kenë një punë me rrogë vetëm në sektorin formal, me një kontratë të rregullt dhe sigurime të paguara, gjë që ndodh kryesisht në sektorin publik[28].

Mjaft prej grave ishin të dekurajuara për të rihyrë në tregun e punës. Ato pohonin se në rastin e një pune me rrogë të ulët dhe me nevojën për të paguar një kujdestare për fëmijët, ishte më mirë për to të qëndronin në shtëpi që të kujdeseshin për fëmijët e për familjen. Vetëm disa gra, në Pogradec, Vlorë dhe Fier, thanë se do të preferonin një punë me pagesë me qëllimin e vetëm për të qenë jashtë shtëpisë, për të pasur një jetë më sociale, për të bërë një jetë më aktive e për të fituar vetë disa të ardhura.

Diskutimet në fokus grupe treguan se si gratë ashtu dhe burrat kanë një informacion të caktuar rreth kurseve dhe aktiviteteve formuese, por në të shumtën e rasteve, këto kurse janë pa vlerë pasi shpesh nuk i përshtaten kërkesave të tregut, punët e ofruara janë vetëm në tregun informal, etj.

Të dhëna nga Regjistrimi i Popullsisë 2001 tregojnë se në zonat urbane, sa më i madh të jetë numri i fëmijëve aq më e vogël është mundësia për nënat për të pasur akses në tregun e punës.

Grafiku 6: Përqindja e punësimit për gratë 15-34 vjeç sipas numrit të fëmijëve të tyre të gjallë: zonat urbane, 2001

Burimi: Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, INSTAT, 2001

Përqindja e papunësisë mes grave 15-34 vjeçe në zonat urbane është krejt e kundërta e grafikut të punësimit. Sërish këtu provohet se gratë me 4 ose më shumë fëmijë janë më të pafavorizuarat për të pasur një punë. Është e rëndësishme të themi se nuk është thjesht një problem për aksesin në tregun e punës. Pika tjetër e rëndësishme është që nënat nuk kanë lehtësi për të harmonizuar përgjegjësitë e familjes me punën profesionale. [29]

Grafiku 7:  Përqindja e papunësisë e grave 15-34 vjeç sipas numrit të fëmijëve të tyre të gjallë: zonat urbane, 2001

Burimi: Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave 2001, INSTAT

Nëse për gratë ne themi “të papuna” dhe “jashtë tregut të punës”(në shumicën e rasteve), kjo ndryshon për burrat. Edhe nga analiza e ditarëve rezulton se pjesa më e madhe e burrave janë në kërkim të një pune të re, që nënkupton se sipas përcaktimit zyrtar, ata janë të papunë. Ky nuk është një rast tipik për gratë, sepse në asnjë nga ditarët nuk është shkruar “Unë po kërkoja një punë”.  Kjo ishte edhe përshtypja nga fokus grupet, kur gratë shpreheshin se dëshironin të gjenin një punë, por në të vërtetë nuk ishin duke kërkuar për një të tillë. Edhe kur mund të kishin disa mundësi, është e vështirë që këto t’iu përshtateshin grave për shkak të angazhimit të tyre në familje. Gratë janë të mbingarkuara me punët e shtëpisë dhe me kujdesin për anëtarët e familjes dhe thonë që mund të përballojnë një punë “part – time” (me kohë të pjesshme), pranë shtëpisë, të paguar mirë, me të gjitha sigurimet e paguara”. Ka shumë raste të grave dhe vajzave, ku ato vetë, nuk pranojnë punët e disponueshme për shkak të shumë faktorëve. Gjatë diskutimeve në fokus grupe, pothuajse në të gjitha qytetet përveç në Paskuqan dhe Vau i Dejës ku gratë nuk ishin edhe kaq të interesuara në gjetjen e një pune të paguar, gratë shpreheshin se ato do të preferonin një punë në administratën publike (e konsideruar si e vetmja  punë e mbrojtur), ose dhe me kohë të pjesshme (sepse në këtë mënyrë ato të mund të kujdeseshin edhe për angazhimet e shtëpisë), pranë shtëpisë së tyre, dhe me një pagë të mirë.

Të dhënat e shoqatës “Refleksione” gjatë 2004 konfirmojnë këto gjetje. Shoqata “Refleksione” ka asistuar 895 gra dhe vajza në zona të ndryshme të Shqipërisë si në Tiranë, Shkodër dhe Pogradec, të gjejnë një vend punë. Nga ky total, vetëm 170 gra dhe vajza janë punësuar. Një numër i madh i tyre kanë refuzuar punët e ofruara për arsye të ndryshme si për shembull pagë e ulët, distanca nga vendi i punës së mundshme, mungesa e shërbimeve sociale si kujdesi për fëmijët ose anëtarët e tjerë të familjes, dhunës në familje, paragjykimeve dhe stereotipave në vendet e punës etj. [30] Përveç kësaj, paga e ofruar nuk e justifikon kohën e shpenzuar dhe kushtet e vështira të punës në disa nga punët. Kjo çon në zhvillimin e tregut informal ose në punët e pakualifikuara e të kufizuara, si: sekretare, bariste, kameriere, etj. Për më tepër, mundësitë për punësim në institucione shtetërore janë thuajse joekzistente.[31]



[1] Në Tiranë u zgjodhen 2 njësi bashkiake, 5 dhe 6, sepse kishin karakteristika të ndryshme, për të  pasur një përfaqësim  sa më të mirë të qytetit.

[2] Ndërtesat informale në Paskuqan aktualisht janë përfshirë në një proces shumë të gjerë legalizimi, megjithatë niveli i informalitetit në këtë zonë mbetet shumë  problematik. 

[3] INSTAT, Popullsia në Shqipëri 2001, Tiranë, 2002

[4] Sipas Shërbimit Social Shtetëror (ShSSh) janë përcaktuar një  sërë kriteresh për t’u klasifikuar i varfër dhe për të marrë NE, midis të cilëve më të rëndësishmit janë : kryetari i familjes i papunë dhe të jetë i rregjistruar në Zyrat e Punës si punëkërkues, të mos ketë prona për shitje dhe të dhëna  me qira, të mos ketë tokë (e cila përjashton punonjësit në bujqësi), të jetë i rregjistruar në Zyrën e gjëndjes civile etj. të mos kenë anëtarë të tjerë të familjes punonjës aktivë, etj (SHSSh, Harta e Varfërisë, Tiranë, 2002). Janë një sërë kriteresh dhe vendimesh për t’u futur në skemën e NE-s, bazuar në metodën e testimit.. Mund të pohohet se aktualisht është e nevojshme një reformë për kriteret e alokimit të NE-s, në mënyrë që ajo të shpërndahet në bazë të një hartëzimi më të saktë  të varfërisë që e siguron LSMS-ja. (Shih Danaj E., Papps I. Policy Impact Analysis: Distribution of Economic Assistance Block Grants, MPÇS dhe MF (Departamenti i SKZhES) 2005.

[5] Ditari ndahej në intervale 2 orëshe. Për paraqitjen grafike e kemi grupuar kohën në intervale 4 orëshe. Kur gratë dhe burrat raportonin më shumë se një aktivitet ne iu kërkonim të saktësonin se cili ishte aktiviteti kryesor ndërmjet gjithë aktiviteteve të përmendur. Pra, me “aktivitet kryesor” nënkuptohet aktiviteti që gratë dhe burrat e raportojnë si më të rëndësishmin në intervalin kohor përkatës. Mënyra tjetër e llogaritjes bazohet te shpenzimi i kohës. Bazuar në ditarët, ne llogaritëm se sa minuta shpenzohen mesatarisht për aktivitetet e raportuara nga gratë në një interval 240 minutësh.

[6] MPCSShB, “Strategjia Kombëtare për Barazi Gjinore dhe Dhunën në Familje 2007-2010”, Tiranë, Dhjetor 2007

[7] Sipas të dhënave të MICS 2005 ka një ndryshim mes pritshmerise së përqindjes në zonat urbane e cila është 48.2 e krahasuar me 34.7 përqind në zonat rurale.

[8] UNCT, Vlerësimi i përbashkët i situatës 2004, Tiranë, 2005

[9] LSMS 2002

[10] UNCT, Vlerësimi i përbashkët i situatës 2004, Tiranë, 2005

[11] Përsa i përket kësaj, mund të referohesh në botimin  “Të rritesh: sfida dhe potenciale për rininë në Shqipëri”, (Danaj E., Festy P. e al, 2005)  ku është konkluduar se roli i familjes është qendra për shoqërinë aktuale shqiptare, duke qenë vendi më i sigurtë përballë një tregu pune shumë kaotik dhe i parregullt, një sistem vuajtës edukimi dhe një mirëqënie shumë e dobët shtetërore”.

[12] Këtu ne mund të sjellim si shembull Italinë, ku një nga aspektet e punës së OJFve është krijimi i shërbimeve të kujdesit për të moshuarit në shtëpi. Ato sigurojnë kujdesin shëndetësor ditor në shtëpi nga infermierë të specializuar. (G. Moro, “Azione Civica Carocci Faber, 2005)

[13]Në 1918, 75% e meshkujve të pamartuar të moshës  30 and 55% të meshkujve të martuar jetonin me të paktën njërin nga prindërit,, pavarësisht  vdekshmërisë së lartë të prindërve relativisht të moshuar. (Danaj E., Festy P. et al, 2005)

[14] Në këtë paragraf ne i referohemi shkallës së të dhënave kombëtare, të marra nga regjistrimet e popullsisë në Shqipëri, për të ilustruar në terma të  përgjithshëm situatën. Por sido që të jetë, në këtë studim, kujdesi për të moshuarit nuk midis reaktiviteteve më të rendesishme, për shkak të fokusimit në zonat urbane të këtij studimi.

[15] Në skemën e sigurimeve shoqërore është edhe sigurimi për lejen e lindjes me përfitimet si vijojnë: të ardhurat për barrëlindje, të ardhurat për kompensim barrëlindje kur ndryshohet vendi i punës si dhe shpërblimi për lindje fëmije. Të ardhurat për barrëlindje i paguhen vetëm gruas shtatzënë dhe për lindjen e fëmijës, me kusht që ajo të ketë plotësuar 12 muaj sigurime shoqërore”

[16] Pagesat informale në kujdesin shëndetësor jospitalor përbëjnë  rreth 11% të totalit të shpenzimeve, në dallim me kujdesin spitalor, ku ato zënë rreth 25% të totalit të shpenzimeve. Mes njerëzve që japin “dhurata” gjatë një qëndrimi në spital (60% të të gjitha rasteve), 43% thonë që dhurata u kërkua ose pritej të merrej.  Në rastin e kujdesit të pacientëve të jashtëm, rreth 40% e njerëzve të cilat kanë shkuar në ambulancat publike thanë që dhuratat kërkoheshin ose priteshin, ndërsa 25% prej atyre që kanë shkuar te një infermiere, përmendën kërkesa të tilla. (World Bank, Albania poverty assessment, Qershor 2003)

[17] Për informacione shtesë mbi pagesat informale për shërbimet  shëndetësore referohu te Raporti i Bankës Botërore “Albania Poverty Assessment”, Qershor 2003

[18] UNDP, “Analiza gjinore e politikes ne MSh”, 2006, Tiranë 

[19] USAID, “CEDAW Assessment Report, Albania” përgatitur nga Chemonics International, Dhjetor, 2005

[20] USAID, “CEDAW Assessment Report, Albania” përgatitur nga Chemonics International, Dhjetor, 2005

[21] Kjo ndodh për shkak të informalitetit që ka të bëjë me deklarimin e të ardhurave. Pagat e deklaruara në sigurimet shoqërore janë shumë më të ulëta se sa pagat reale dhe kështu që përfitimi pas lindjes është shumë më i ulët.

[22] MPÇSShB, Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje,  Dhjetor 2007, Tiranë

[23] Në lidhje me gratë shtatzënë, aktualisht, nëse nuk janë të siguruara ato duhet të paguajnë. Kjo është një çështje e re, sepse deri tani gratë shtatzëne nuk kanë paguar për shërbimet ne Konsultore, nëse ishin të siguruara ose jo. Pagesa nuk është shumë e madhe për një grua të pavarur nga ana ekonomike, por mund të konsiderohet shumë e lartë për një grua pa të ardhura dhe të varur ekonomikisht. Intervistat me profesioniste të shëndetit në Librazhd, Paskuqan dhe Tirana, tregojnë se kjo mund të ndikoje ne rënien e nisur tashmë të numrit të vizitave të grave shtatzene.

[24] UNDP & SEDA, National Human Development Report, 2005, Tiranë

[25] UNDP & SEDA, National Human Development Report, 2005, Tiranë

[26] Këto të dhëna i referohen INSTATit (www,instat.gov.al). Shifra e vërtetë për të papunët është më e lartë sepse një numër i madh të papunësh nuk regjistrohen në Zyrat e Punës kështu që ato nuk janë të parashikuara në këtë përqindje. Sipas LSMS 2002, rreth 45% e të papunëve nuk janë të regjistruar dhe të numëruar.

[27] Komiteti CEDAË: 34. Komiteti është i shqetësuar për përqindjen e lartë të papunësisë më shumë mes grave se sa mes burrave. Komiteti është i shqetësuar se gratë nuk janë në gjendje të marrin trajnime të përshtatshme dhe ritrainime për të konkurruar në tregun e punës. Komiteti është i shqetësuar rreth diskriminimit në punësimin e grave, veçanërisht në hyrjen në sektorin privat (USAID, “CEDAW Assessment Report, Albania” përgatitur nga Chemonics International, dhjetor  2005)

[28] Përsa i përket situatës, MPÇSSHB ka ndërmarrë disa iniciativa ligjore dhe nënligjore, si ligji “Mbi nxitjen e punësimit”, Vendimi i Këshillit te Ministrave (VKM) nr. 632, date 18.09.2003, “Mbi nxitjen e punësimit të grave të papuna në kërkim të punës” etj. të cilat mbështesin punësimin e grave e vajzave. Ne total, janë zbatuar tre programe për nxitjen e punësimit kryesisht për gratë e vajzat e reja; ne vitin 2004 filloi zbatimi i VKM nr. 632, datë 18.9.2003 “Mbi nxitjen e punësimit të grave të papuna” dhe Urdhri nr. 394, date 23.2.2004 “Mbi tarifat e sistemit profesional” te Ministrit te Punës. Sipas këtij urdhri, qendrat e arsimit profesional publik duhet të regjistrojnë falas personat nga grupet në nevojë; rrjeti jo publik (privat dhe OJF) i kurseve profesionale për gra e vajza është zgjeruar. Në vitin 2004, 93 kurse profesionale u licencuan ne total dhe 75 prej tyre ishin kryesisht për gra dhe vajza. Këto kurse janë të shpërndara anembanë vendit. OJF-të kanë hapur qendra punësimi për gra e vajza në Tiranë, Elbasan, Berat. 

[29] Danaj, E., (2003). Punësimi i nënave dhe varfëria e fëmijëve: Raport analitik, 2003, INSTAT, Tiranë.

[30] Bazuar në intervistën me Monika Kocaqin (Informatore kyçe), Drejtore Ekzekutive e Shoqatës “Refleksione”, Gusht 30, 2005, cituar në Raportin UNIFEM & GADC “Krijimi i mundësive ekonomike: një strategji për parandalimin e trafikimit”, 2006

[31] Po aty

 
Mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) në kuadër të programit nën-rajonal "Buxhetimi Gjinor në Europën Juglindore: Përparimi i barazisë gjinore dhe qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë" . Financuar nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze.

© ASC Qendra për Studime të Avancuara. Kontakt info@asc-al.org