Migracioni është një nga karakteristikat kryesore të shoqërisë shqiptare pas vitit 1990. Ky fenomen ka prekur të gjitha rajonet e vendit, ku midis tyre mund të veçohet Kukësi me përqindjen më të lartë të migrimit të popullsisë vendase. Sipas Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave 2001, Kukësi dhe Mirdita ishin me të prekurit nga këto ndryshime. Kukësi ka humbur 19.7% të popullsisë së tij ndërsa Mirdita 26.5% si pasojë e migrimit të brendshëm dhe të jashtëm që prej viti 1991.[1] Tirana është rajoni që ka pësuar rritjen më të madhe të popullsisë si pasojë e lëvizjeve të brendshme migratore dhe popullsia e saj është shtuar me 41.1%. Njerëzit nga rajonet e ndryshme të vendit kanë ardhur në Tiranë dhe janë përqendruar më shumë në zonat periferike të Tiranës siç është ajo e Paskuqanit, të cilin e kemi dhe pjesë të analizës sonë. Paskuqani është i karakterizuar nga një popullsi që ka migruar dhe një numër i madh i njerëzve që jetojnë aty nuk janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Ky fakt ndikon në shumë probleme të kësaj zone siç është ajo e arsimimit të fëmijëve, punësimit etj.

Përveç migracionit të brendshëm, emigracioni ka qenë një tjetër fenomen i rëndësishëm i pas viteve 1990 në Shqipëri. Afërsisht 25% e popullsisë shqiptare ka migruar jashtë vendit midis dy regjistrimeve të popullsisë (1989 -2001).[2] Sikurse edhe në rastin e migrimit të brendshëm i gjithë territori  i vendit është prekur nga ky fenomen. Rajoni i Vlorës është ai më i prekuri nga migrimi i jashtëm si pasojë e migrimit te madh drejt Italisë dhe Greqisë. 26% e familjeve në Vlorë kanë emigruar jashtë vendit.[3] Në të njëjtën kohë popullsitë e rajoneve të tjera të vendit kanë lëvizur drejt Vlorës dhe popullsia e humbur nga migrimi i jashtëm është zëvendësuar ai i brendshmi. Vlora është një nga rajonet më pak të varfra të vendit, sipas LSMS 2002. Karakteristike e po këtij rajoni është se ai shfaq pabarazinë më të madhe midis të varfërve dhe të pasurve.[4] Përsa i përket fenomenit të migrimit të jashtëm apo të brendshëm, rajonet e tjera të marrë në analizën tonë nuk shfaqin ndryshime të mëdha, pasi ikjet jashtë Shqipërisë janë zëvendësuar me migrimin e brendshëm, sidomos nga zonat e thella malore ose rurale drejt atyre urbane.

Ashtu siç e përmendëm më lart Vlora është rajoni më pak i varfër[5] në vend. Tabela më poshtë paraqet situatën e rajoneve që ne kemi analizuat  sipas treguesve të varfërisë (% e të varfërve dhe FGT1- thellësia e varfërisë). Siç e vërejmë, dy zonat më të vogla, Paskuqan dhe Vau i Dejës janë më të varfrat dhe ato vazhdojnë të tregojnë diferencat midis zonave tradicionale urbane dhe atyre urbane te reja. Diferencat midis zonave rurale dhe urbane janë gjithashtu të shprehura nëse ne krahasojmë përqindjen e varfërisë të qyteteve me atë të rretheve (të cilët përfshijnë gjithashtu edhe zonat rurale). Ashtu siç u vu re, Librazhdi, Fieri dhe Vlora janë më pak të varfrat si qytete. Ky fakt shpjegohet nga ndikimi i madh i migracionit në të ardhurat dhe konsumin në këto zona. Ashtu siç u theksua dhe nga diskutimi me pjesëmarrësit në fokus grupe, shumica e familjeve në këto qytete janë të varur nga remitancat dhe ato janë burimi kryesor për familjet e tyre.

Tabela 1: Përqindja e të varfërve, thellësia e varfërisë, popullsia dhe numri i familjeve në qytetet, sipas regjistrimit të popullsisë dhe LSMS 2002.[6]

Qyteti

Përqindja e të varfërve*

FGT1

Popullsia

Familjet

Fier

10,55

2,40

56164

14739

Vlorë

12,73

2,95

77652

19979

Librazhd

13,25

2,55

7216

1733

Lezhë

16,61

4,32

14420

3543

Tiranë

17,84

4,06

341453

89764

Pogradec

18,24

3,80

23762

6001

Elbasan

19,33

4,01

86148

22076

Shkodër

20,79

4,50

83274

21928

Kukës

21,42

4,61

17157

3560

Rrëshen

25,69

5,82

11447

2614

Paskuqan

27,76

6,37

21055

4545

Vau Dejës

38,79

10,07

9430

2107

Burimi: Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave 2001, LSMS 2002

*Përqindja e të varfërve është përqindja e popullsisë nën vijën e varfërisë n 2002 që është 4891 Lekë

**FGT1: Ky tregues i varfërisë tregon thellësinë e varfërisë, gjithashtu hapësirën e varfërisë, llogaritet si mesatarja e konsumit në lidhje me vijën e varfërisë.

Për situatën socio-ekonomike të rajoneve specifike, ne do ti referohemi edhe pasqyrës të dhënë nga pjesëmarrësit nëpër fokus grupe të cilët shfaqnin fenomene të tilla si varfëria, probleme lidhur me mungesën e ujit dhe energjisë elektrike dhe infrastrukturë të keqe. Gjatë diskutimeve në fokus grupe, dolën në pah veçori të tilla si për shembull:  e ndikuar nga fenomeni i migrimit situata përsa i përket nivelit mesatar arsimor nuk është aq stabël sa ka qenë me përpara dhe për më shumë ai sa vjen dhe keqësohet, pra kemi një ulje të nivelit mesatar të arsimimit të popullsisë nëpër këto rajone. Përsa i përket kësaj çështjeje, është e rëndësishme të thuhet se kemi 2 lloje migrimesh, më të arsimuarit shkojnë drejt qendrave të mëdha siç është Tirana[7] për tu arsimuar me shume dhe të tjerët në kërkim të mundësive më të mira për të jetuar dhe punuar shkoj përgjithësisht nga zonat e thella malore ose rurale drejt zonave urbane. Niveli arsimor i atyre që vijnë është i njëjtë ose më i ulët sesa i popullsisë që ikën. Një tjetër aspekt që ndikon nivelin arsimor të popullsisë është procesi i regjistrimit në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Shumica e migrantëve të brendshëm nuk janë të regjistruar dhe si rrjedhim ato nuk mund të regjistrohen nëpër shkolla.[8] 

Situata e rënduar ekonomike ishte një nga arsyet që pjesëmarrësit nëpër fokus grupe theksuan si më të rëndësishmen dhe vendi më i preferuar për migrim të brendshëm ishte Tirana dhe për migrim të jashtëm ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mundësia e migrimit u vu re më shumë në diskutimet me burrat sesa me gratë. Gratë dhe vajzat kishin tendencën të rrinin në vendin e tyre të origjinës, vetëm se kërkonin më shumë mundësi punësimi. Gjatë disa diskutimeve në disa rajone, të gjitha gratë u përgjigjën se burrat e tyre ishin në migrim dhe se remitancat ishin burimi kryesor i të ardhurave për to.

Impresionet e grave pjesëmarrëse në fokus grupe ishin që gratë që vijnë në qytete nga fshati kanë shumica arsim tetëvjeçar. Gjate diskutimeve dolën në pah gjithashtu se kur ato flisnin për migrimin ishte gjithmonë me tone negative për të, p.sh si diçka që shtrembëronte tregun e punësimit, ulte nivelin arsimor të qytetit dhe ishte shkak i ngjarjeve të pakëndshme në qytet (p.sh si vjedhje etj.) dhe këto gjëra u theksuan më shumë në qytete si Librazhd, Elbasan dhe Tirana ashtu siç edhe janë qytete që kanë pasur prurjet më të mëdha të migrimit të brendshëm. Në të tjera rajone p.sh si Kukësi tendenca e qytetit është të ketë një popullsi moshe mesatare në rritje shkak është humbja e madhe e popullsisë që ky rajon ka pësuar dhe si rrjedhim mundësitë për të jetuar atje sa vijnë dhe ulen.

Sikurse u theksua më lart  në të gjitha rajonet remitancat rezultojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave. Në disa prej tyre konsiderohet gjithashtu e njëjta gjë por duket të ketë një ulje të lehtë të tyre. Pas viteve të para të emigracionit në masë dhe të dërgesave të mëdha të remitancave, situata ndjehet se po ndryshon disi. Emigrantët tashmë sidomos ata në moshë të re janë duke krijuar familjet e tyre dhe kanë obligime të reja në jetën e tyre  dhe si rrjedhojë shumë prej të ardhurave që ata dërgojnë tek familjet e prindërve të tyre vjen duke u ulur. Ky fenomen u vu re sidomos në qytete si Fier, Pogradec, Librazhd dhe Elbasan. Çfarë është e rëndësishme të theksohet është fakti se shpeshherë dërgesat e remitancave janë dhe një nga faktorët që gratë tërhiqen nga tregu i punës. Në veçanti gra të martuara me fëmijët që jetojnë tërësisht në varësi të parave që ju dërgojnë burrat e tyre nga emigracioni dhe ato kujdesen për fëmijët. Këto fakte u theksuan kryesisht në bisedat me ekspertët lokalë nëpër qytete.

Ashtu sic prezantuam dhe më sipër, Kukësi dhe  Rrësheni kanë nivelin më të lartë të varfërisë dhe papunësisë  dhe përqindjen më të lartë të emigracionit jashtë vendit dhe brenda vendit. Situata e përshkruar nga të dhënat statistikore është pasqyruar e njëjtë edhe nga takimet e bëra me pjesëmarrësit në fokus grupe. P.sh në Rrëshen, Kukës, dhe Vau i Dejës, ata raportonin asnjë mundësi punësimi dhe mënyra të tjera për të fituar para për të jetuar.

Sektori industrial tashmë është zvogëluar dhe gjithashtu edhe ai bujqësor. Këto raste janë të shumta në Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier dhe Tiranë. Në Vlore dhe Fier si qytete turistike duket se ka më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi por megjithatë pjesëmarrësit raportojnë se këto zhvillime janë kaotike dhe e bëjnë këtë sektor të pa mbrojtur për tu zhvilluar. Gjithashtu në  fokus grupet nga Vlora gratë tregojnë se edhe kjo mundësi punësimi është jo reale pasi ndjehet një diskriminim i madh kundrejt atyre të martuarve dhe me fëmijë. Gjatë sezonit veror preferohen studente dhe vajza të pa martuara dhe pa angazhime për të punuar në këtë sektor.

Paskuqani është trajtuar si një zonë totalisht informale, jo vetëm për punësimin por edhe përsa i përket mos regjistrimit në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe si rezultat kemi fëmijë pa arsim etj. Ka shumë pak mundësi punësimi në këtë zonë e cila është duke pritur të bëhet edhe bashki. Shumica e burrave punojnë në informalitet dhe kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Nëse do të fokusohemi tek tregu i punës, çështja më e diskutuar nga pjesëmarrësit nëpër fokus grupe është punësi informal dhe kjo vihet re ne të  gjitha rajonet e marra në studim. Masa e informalitetit mund të ndryshojë nga rajoni në rajon por ai ngelet goxha i rëndësishëm, ku mund të përmendet Vlora, Fieri dhe Tirana, ku dhe sektori privat është më i zhvilluar.



[1] INSTAT, Popullsia në Shqipëri 2001, Tiranë

[2] po aty

[3] UNDP & OXFAM, Strategjia e zhvillimit rajonal të Vlorës, Tirana 2005

[4] World Bank, Albania Poverty Assessment, Qershor 2003,

[5]Ketu i jemi referuar  vijës së plotë të varfërisë, e vlerësuar në bazë të produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore, 4,891 Leks për frymë në muaj. Matja e varfërisë sipas LSMS 2002 është bërë mbi bazën e konsumit dhe jo të të ardhurave, sepse ato nuk janë të shprehura drejt. Sipas kësaj lloj matjeje, 1 e katërta e shqiptarëve jetojnë në varfëri ose 780,000 individë janë nën vijën  e varfërisë në 2002

[6] Danaj E., Papps I. Policy Impact Analysis: Distribution of Economic Assistance Block Grants, MPCS dhe MF (Departamenti I SKZHES), 2005

[7] Ekonomi M, E.Danaj, E.Gjermeni, “Gender Perspectives in Albania”, INSTAT, 2004, Tiranë

[8] World Bank, Albania Poverty Assessment, qershor 2003

 
Mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) në kuadër të programit nën-rajonal "Buxhetimi Gjinor në Europën Juglindore: Përparimi i barazisë gjinore dhe qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë" . Financuar nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze.

© ASC Qendra për Studime të Avancuara. Kontakt info@asc-al.org