Kur trajtojmë se si konceptohet dhe matet puna e grave duhet mbajtur parasysh tipologjia e punës ku dallojmë pesë tipe:  puna në tregun formal, puna në tregun informal, puna për prodhim e konsum familjar, puna e kujdesi i papaguar dhe puna vullnetare. “Vetëm puna në tregun formal matet në mënyrën e duhur me metodat konvencionale të mbledhjes së të dhënave; të tjerat kërkojnë një përpunim më të mirë të metodave për mbledhjen e të dhënave, ose në një nivel akoma më bazik, kuadër të ri konceptual dhe përkufizime të reja.”[1]

Anketat e përdorimit të kohës (TUS) janë metoda kryesore për matjen e punës dhe kujdesit të papaguar në familje. Meqenëse ato kërkojnë kampione statistikisht përfaqësues në shkallë kombëtare, si rregull realizohen nga institucionet kombëtare të statistikave. Deri tani në Shqipëri nuk është kryer ndonjë anketim tërësor për përdorimin e kohës. Për këtë arsye, ne vendosëm të përdorim një përqasje me pjesëmarrje për këtë studim- diskutimet në fokus grupe-me burra dhe gra në 10 bashki të Shqipërisë, të shoqëruara me administrimin e  ditarëve 24 orësh[2] të vetë pjesëmarrësve. Në total u plotësuan 225[3] ditarë 24 orësh, (122 të plotësuar nga gratë dhe 103 nga burrat), dhe u organizuan 26 takime me grupe të fokusuara[4] me rreth 260 pjesëmarrës. Në të njëjtën kohë QSA-ja realizoi edhe një kërkim të dytë për mbledhje të dhënash në nivel vendor dhe kombëtar, si dhe analizoi dokumente, strategji dhe mjaft studime lidhur me punën dhe kujdesin e papaguar në familje.

Gratë dhe burrat pjesëmarrës në fokus grupe përfaqësonin grupe të ndryshme moshore, veprimtari ekonomike të ndryshme dhe përgjithësisht ishin të martuar, meqenëse ne kërkonim të fokusoheshim në këtë kategori për të analizuar situatën e grave dhe burrave të martuar. Fokus grupet me gra dhe burra u pasuan nga takime me autoritetet dhe ekspertët vendorë për të marrë opinionin që ata kishin mbi çështjen e punës dhe kujdesit të papaguar, si dhe rekomandimet e tyre. Kjo na ndihmoi për të bërë rekomandime më konkrete dhe më të dobishme për nevojat dhe veprimet e ardhshme.

Meqenëse metoda jonë kryesore ishin diskutimet në fokus grupe, numri i pjesëmarrësve është i vogël krahasuar me një anketë të përdorimit të kohës në shkallë kombëtare, që do të ishte metodologjia ideale.. Gjithashtu ekzistonte rreziku i shmangies nga pyetësorët gjysëm të strukturuar të fokus grupeve, për shkak të temave të tjera të diskutimit që propozonin pjesëmarrësit. Megjithatë, kombinimi i metodës së fokus grupeve me administrimin e një ditari të thjeshtë për përdorimin e kohës, na mundësoi një informacion shumë të mirë, që ilustron karakteristikat, shkaqet dhe pasojat e punës dhe kujdesit të papaguar në Shqipëri.

Drafti i parë i studimit u konsultua me autoritetet dhe ekspertët vendorë me qëllim përfshirjen e komenteve të tyre në raportin përfundimtar. Kjo bëri të mundur gjithashtu zgjerimin e gamës së rekomandimeve për të  mbështetur punën dhe kujdesin e papaguar të grave.


[1] Progress of Worlds Women 2005: Women, Work and Poverty” UNIFEM, f. 23

[2] Duhet theksuar se këtu nuk kemi të bëjmë me një anketë të mirëfilltë të matjes së kohës  dhe se metoda kryesore për kryerjen e këtij studimi ishin diskutimet në fokus grupe. Ditaret 24 orësh të përdorimit të kohës ishin një metodë dytësore, për të plotësuar gjetjet dhe për të pasur një vështrim të parë mbi përdorimin e kohës së grave dhe burrave, meqenëse në Shqipëri nuk ka një TUS kombëtar.. Ditari ndahej në intervale kohore 2orëshe. Kur gratë dhe burrat raportonin më shumë se një aktivitet, ne iu kërkonim të saktësonin se cili ishte aktiviteti kryesor ndërmjet atyre që kishin raportuar.. Pra, me “aktivitet kryesor” nënkuptohet aktiviteti që gratë dhe burrat e raportonin si më të rëndësishmin në intervalin kohor përkatës.

[3] Numri i ditarëve është më i vogël se numri i pjesëmarrësve në fokus grupe, sepse për arsye kohe dhe për mungesë dëshire, një pjesë e tyre nuk i plotësoi ditarët.

[4] Ky është numri i fokus grupeve me gra dhe burra pjesëmarrës në to.. Numri i përgjithshëm i fokus grupeve, përshirë edhe ato me autoritetet vendore dhe ekspertët vendorë është 50, ndërsa numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në këto grupe është rreth 400.

 
Mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) në kuadër të programit nën-rajonal "Buxhetimi Gjinor në Europën Juglindore: Përparimi i barazisë gjinore dhe qeverisjes demokratike nëpërmjet rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë" . Financuar nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze.

© ASC Qendra për Studime të Avancuara. Kontakt info@asc-al.org